E RËNDË NË SHBA/ 96 plumba ndaj 26-vjeçarit. Familjarët e viktimës kërkojnë hetim (VIDEO)

Plot 96 plumba në vetëm 41 sekonda, ka qëlluar policia Amerikane drejt një 26-vjeçari i ndaluar fillimisht për mos vendosje rripi. Pasi nuk i është bindur urdhrit për të zbritur, një  e shtënë është dëgjuar para se efektivët e policisë të zbrazin karikatorët mbi të. Familjarët kërkojnë hetim të thelluar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku një 26-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi një breshëri plumbash u drejtuan drejt tij nga policia.

Dexter Reed nga Çikago u ndalua nga policia pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurisë. Ngjarja ka ndodhur në 21 mars ndërkohë që është filmuar nga kamerat e uniformave që policët kishin veshur.

Policët i kërkuan që të dilte nga automjeti, por ai refuzoi. I rrethuar nga katër policë, dëgjohet një e shtënë dhe kaq ka mjaftuar që ata të hapnin zjarr drejt automjetit, ku i riu mbeti i vdekur në vendngjarje.

Sipas hetimeve që pasuan, policia ka qëlluar gjithsej 96 herë në 41 sekonda. Sipas një deklarate nga Zyra Civile e Përgjegjësisë së Policisë, provat fillestare tregojnë se Reed hapi zjarr i pari, me katër oficerë që iu përgjigjën zjarrit.

Sipas New York Post, në videot e publikuara për publikun nuk ka asnjë imazh të qartë të 26-vjeçarit që ka qëlluar ndaj policisë.

Por, thuhet se në makinën e tij është gjetur një armë. Familja e 26-vjeçarit po bën thirrje për një hetim të mëtejshëm për atë që ndodhi dhe çoi në vdekjen e tij.

Përfaqësuesit ligjor të familjarëve argumentojnë se të shtënat ishin të paligjshme duke qenë se oficerët nuk kishin veshur uniforma dhe nuk u identifikuan.