“Shkelje sovraniteti” - Ndërpriten marrëdhëniet diplomatike Meksikë – Ekuador pas arrestimit të dhunshëm të ish- zv. Presidentit

Ndërhyrja me dhunë në ambasadën e Meksikës ka shkaktuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Ekuadorin. Operacioni u zhvillua për ndalimin e ish-zëvendëspresidentit që kishte kërkuar strehim dhe azil politik. Përplasja mes vendeve tashmë ka përfunduar në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë

Meksika do të ngrejë një çështje kundër Ekuadorit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nisma është ndërmarrë pas hyrjes me dhunë në ambasadën në Quito ku policia arrestoi ish-zëvendëspresidentin ekuadorian Jorge Glas, i cili ishte strehuar aty për azil.

54-vjeçari u transferua në një burg të sigurisë së lartë. Menjëherë pas kësaj u deklarua edhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike që shënoi kulmin e tensioneve që zgjasnin prej më shumë se një jave.

Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, e cilësoi aktin një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të vendit të tij teksa shkelja e konventës diplomatike ka shkaktuar tronditje në rajon, me liderët e Amerikës Latine nga i gjithë spektri politik që e dënojnë incidentin.

Ata janë shprehur se janë shkelur gjithashtu të drejtat për azil.

Stafi diplomatik prej 18 personash i ambasadës mbërritën në Mexico City të dielën, pasi u larguan nga Ekuadori, ndërsa institucioni do të vijojë të jetë i mbyllur për një kohë të pacaktuar, si dhe shërbimet e saj konsullore.

Glas, që është dënuar dy herë për korrupsion, shërbeu midis viteve 2013 dhe 2017.

Ai është akuzuar nga autoritetet ekuadoriane për përvetësim të fondeve qeveritare të destinuara për të ndihmuar në rindërtimin pas një tërmeti shkatërrues të vitit 2016.

Mbrojtja e Glas ka hedhur poshtë akuzat dhe ai thotë se është subjekt i persekutimit politik, por Prokuroria nuk ka komentuar mbi ankesën e paraqitur