MUSK “LUFTË” ME BRAZILIN/ Pronari i X dhe gjyqtari betejë për bllokimin e profileve në rrjetin social
Elon Musk është vënë nën hetim nga një gjykatës i Gjykatës së Lartë në Brazil, pasi multi-miliarderi që e konsideron veten një absolutist të fjalës së lirë refuzon bllokimin e disa llogarive në platformën X. Vendimi ka përshkallëzuar përplasjen, që mund të shkojë deri në bllokimin e rrjetit social në vendin e Amerikës Latine
Përplasja mes Elon Musk dhe Brazilit u përshkallëzua, kur një gjykatës i Gjykatës së Lartë hapi një hetim ndaj miliarderit pasi ai tha se do të riaktivizonte llogari në platformën e mediave sociale X që gjykatësi kishte urdhëruar të bllokoheshin.
Musk, pronari i X, dhe një absolutist i vetëshpallur i fjalës së lirë, ka kundërshtuar një vendim të gjyqtarit Alexandre de Moraes që urdhëron bllokimin e disa llogarive në rrjetin social.
As Musk, as X dhe as autoritetet braziliane nuk kanë bërë të ditur se cilat llogari të mediave sociale janë urdhëruar të bllokohen.
Besohet se profilet janë të lidhura me lëvizjet e ekstremit të djathtë, që kanë publikuar përmbajtje nga trazirat më 8 janar të vitit të kaluar, kur mijëra mbështetës të ish-presidentit të Brazilit Jair Bolsonaro sulmuan Kongresin e vendit, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial.
Musk ka thënë se X, i njohur më parë si Twitter, do të hiqte të gjitha kufizimet sepse ato ishin jo kushtetuese ndërsa kërkoi dorëheqjen e gjyqtarit
Moraes iu përgjigj duke emrin e Musk në hetimin që ai po drejton për lajmet e rreme në mediat sociale dhe duke hapur një hetim për atë që ai e quajti një pengim të drejtësisë.
Ai akuzoi Musk se kishte nisur një fushatë dezinformimi kundër Gjykatës së Lartë.
Gjyqtari Moraes po heton "milicitë dixhitale" që janë akuzuar për përhapjen e lajmeve të rreme dhe mesazhe urrejtjeje gjatë qeverisjes së Jair Bolsonaro dhe po udhëheq gjithashtu një hetim për një tentativë të supozuar për grusht shteti nga ish-presidenti i ekstremit të djathtë
Të shtunën, ish-presidenti postoi një video të një takimi që pati me Musk në maj 2022, ndërsa u bëri thirrje gjithashtu mbështetësve të tij të mblidhen më 21 prill.
Qeveria e majtë e Presidentit Luiz Inacio Lula da Silva shprehu mbështetje për vendimin e gjyqtarit, me ministrin e Komunikimit që kritikoi Musk, duke postuar me shkronja të mëdha se "rrjetet sociale nuk janë një tokë pa ligj".
Nëse X nuk respekton urdhrin që gjykatës së Lartë të Brazilit do të gjobitet me 19,774 dollarë në ditë dhe funksionimi i platformës në vendin e Amerikës Latine mund të bllokohet.



