Përfitimet e paligjshme nga Covid19, vendet e BE-së bashkojnë forcat, 22 të arrestuar
Fondet ndërkombëtare për rimëkëmbjen nga Covid19 kanë qenë në shuma të mëdha, por jo të gjitha kanë shkuar për qëllimin.
Paralel kanë ecur dhe përfitimet e paligjshme dhe keq shfrytëzimi i këtyre fondeve, ku së fundmi për këtë qëllim janë vënë në pranga të paktën 22 persona, gjatë një operacioni të përbashkët në vendet e Bashkimit Evropian.
Arrestimet janë kryer në Itali, Austri, Sllovaki dhe Rumani ndërsa janë sekuestruar pasuri me vlerë më shumë se 600 milionë euro.
Policia financiare italiane deklaroi të enjten se kishte sekuestruar Lamborghini, Porshe, Rolex, bizhuteri Cartier, kriptovaluta, vila luksoze dhe sende të tjera gjatë kontrolleve të banesave dhe bizneseve të të arrestuarve.
Mashtrimi risjell në vëmendje shqetësimet rreth keqpërdorimit të fondit të rimëkëmbjes prej 800 miliardë eurosh të BE-së për të ndihmuar ekonominë e bllokut, ku Italia ishte përfituesi më i madh, me grante prej më shumë se 194 miliardë euro.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian deklaroi se një organizatë kriminale dyshohet se ka drejtuar skemën e mashtrimit gjatë dy viteve.
Në 2021, grupi aplikoi për të marrë grante të pakthyeshme, me pretendimin për të mbështetur kompanitë e vogla dhe të mesme, por më vonë përgatiti bilanc të rremë për të treguar se kompanitë ishin aktive dhe fitimprurëse, kur në fakt nuk ishin.
Pasi mori rreth 600 milionë euro në fonde nga Plani Kombëtar Italian i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës, grupi i transferoi në llogaritë e tyre bankare në Austri, Rumani dhe Sllovaki.
Zyra e prokurorit pohoi gjithashtu se grupi përdorte kriptomonedha, inteligjencë artificiale dhe ofshorë për të kryer dhe fshehur mashtrimin.


