Vigjilentja anti-xhepiste e Venecias sulmohet nga një grup hajdutësh

Thirrja e saj "Attenzione, xhepist!" e ka bërë atë një yll të rrjeteve sociale, me fansat që kanë bërë madje edhe një këngë "dance" në internet bazuar në frazën e saj tërheqëse.

Por Monica Poli, vigjilentja e Venecias e luftës kundër krimit, tani është bërë viktimë e vetë hajdutëve që ajo sulmon. Ajo u sulmua nga një grup teksa u bërtiste ndërsa ata tentonin të vidhnin çantën e shpinës së një turisti gjatë fundjavës së Pashkëve.

Ajo tha për mediat italiane se sapo kishte lënë disa miq për të patrulluar zonën pranë stacionit të trenit, kur pikasi dy burra dhe një grua që po silleshin në mënyrë të dyshimtë.

Pasi ajo bërtiti "ja ku janë, zonja e zotërinj, xhepistat", njëri nga dy burrat e shtyu dhe e fyeu, tha zonja Poli.

"Siç bëj gjithmonë, kam ndërhyrë duke bërë zhurmë", tha ajo për The Telegraph. "Kishte plot turistë, kështu që nëse dikush nuk do të ndërhynte, do të kishin vjedhur dhjetëra kuleta. Isha duke i filmuar kur njëri prej burrave m'u kthye kundër, duke më fyer, duke më shtyrë dhe duke vënë duart mbi mua."

Një tjetër turist ndërhyri, tha ajo, për të ndaluar sulmin.

Vigjilentja anti-xhepiste e Venecias sulmohet nga një grup hajdutësh

Zonja Poli, e cila është një këshilltare bashkie për partinë e krahut të djathtë Lega, është anëtare e një patrulle civile vullnetare të quajtur Cittadini Non Distratti, ose "Qytetarë të pashpërqendruar", të cilët kanë qenë përgjegjës për një të tretën e arrestimeve për vjedhje xhepash në qytet.

Të quajtur "Engjëjt mbrojtës të turistëve", ata u bëjnë fotografi hajdutëve dhe bërtasin për të paralajmëruar njerëzit për praninë e tyre.

"Ka pasur gjithmonë xhepistë në Venecia, por është përkeqësuar shumë vitet e fundit," tha zonja Poli.

Ajo tha se është e vështirë t'i kapësh në flagrancë, pasi shpesh ikin dhe fshihen në qytetin që e njohin mirë, edhe pse ajo dyshon se nuk janë banorë. Pasi të kapen, ajo tha se mund të duhet shumë kohë që çështja të vijë në gjykatë dhe, duke qenë se viktimat janë shpesh të huaj, ata nuk priren të kthehen për të dëshmuar.

Ajo tha se Venecia nuk është qytet i rrezikshëm, por se turistët, të moshuarit dhe invalidët duhet të ishin të kujdesshëm ndaj krimeve të vogla. Zonja Poli tha se grupi i saj ka shkëmbyer informacione rreth hajdutëve dhe ajo është e bindur se ka parë të njëjtët xhepistë në kamera në qytete të ndryshme europiane.

"Ata janë të shumtë në shumë vende, si Spanja, Franca dhe gjithashtu Mbretëria e Bashkuar," tha ajo.

"Isha në Londër dy muaj më parë dhe mund t'ju siguroj se pashë xhepistë, sidomos në Oxford Street dhe Piccadilly Circus./The Telegraph - Syri.net