Bullizmi, motiv i masakrës në Finlandë/ 12-vjeçari që qëlloi bashkëmoshatarët, ngacmohej në shkollë. Fenomeni, ka shënuar rritje

Policia finlandeze tha se bullizmi ishte motivi i sulmit me armë në një shkollë fillore ku një 12-vjeçar vrau një bashkëmoshatar dhe plagosi dy vajza, njëra nga të cilat me origjinë nga Kosova. Fenomeni i ngacmimeve në shkollë sipas studimeve ka shënuar rritje në vendin nordik.

Djali 12-vjeçar që vrau një moshatar të klasës së gjashtë dhe plagosi rëndë dy vajza, një nga të cilat me origjinë nga Kosova në një shkollë fillore në Finlandë ishte viktimë e bullizmit, dhe ky ishte motivi I sulmit me armë, tha policia finlandeze!

Hetuesit thanë se Ai kishte marrë pistoletën e një të afërmi me vete në shkollën fillore “Viertola” në afërsi të Helsinkit ku qëlloi disa nxënës dhe kërcënoi disa të tjerë.

Nxënësi 12-vjeçar ishte transferuar në këtë shkollë në fillim të vitit 2024, tha një zyrtar duke shtuar se deri ditën e sulmit ata nuk kishin asnjë informacion shqetësues rreth tij.

Njëra nga vajzat e plagosura ka nënshtetësi të dyfishtë, kosovare dhe finlandeze bënë me dije autoritetet.

Të dyja të plagosurat janë ende duke u trajtuar në spital.

Policia finlandeze tha se 12-vjeçari shtetas finlandez, u mor në pyetje të martën dhe "e ka pranuar kryerjen e aktit".

“Zbuluam se pas kësaj tragjedie qëndron bullizmi”, tha udhëheqësi i hetimit.

Ai nuk dha më shumë hollësi nësë 12 vjecari kishte një shënjestër të caktuar mes bashkëmoshatarëve në Shkollë. Finlanda mbajti ditë zie kombëtare të mërkurën për nder të fëmijës së vrarë në këtë sulm.

Qirinj e lule u vendosën në oborrin e shkollës me 800 nxënës në qytetin Vanta.

Nëna e një nxënësi të klasës së pestë në shkollë tha për “Reuters” se prindërit dhe mësuesit duhet të flasin më shumë me fëmijët për të ndihmuar në identifikimin sa më të hershëm të rasteve të ngacmimeve

Shkalla e bullizmit në shkolla në Finlandë është rritur.  8.6 për qind të nxënësve të moshës rreth 12-vjeçare që thonë se janë bullizuar të paktën një herë në javë, sipas një studimi.

Finlanda është përballur me incidente të tilla edhe në të kaluarën.

Më 2007, një 18-vjeçar vrau 7 nxënës, drejtorin dhe infermieren e shkollës para se t’i jepte fund jetës.

Një vit më vonë, më 2008, një tjetër student, vrau 9 bashkëmoshatarë një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten. Pas këtyre rasteve  Finlanda ashpërsoi ligjin duke e çuar në 20 vjeç moshën minimale për armëmbajtje.

Sipas të dhënave ka më shumë se 1.5 milionë armë zjarri të licencuara dhe rreth 430,000 mbajtës të licencës në vendin me 5.6 milionë banorë.