Kush ishin vullnetarët e WCK të vrarë nga sulmi izraelit në Gaza?
Organizata jofitimprurëse World Central Kitchen (WCK) ka publikuar emrat e shtatë punonjësve të ndihmës që u vranë në një sulm ushtarak izraelit në Gaza, duke ngushëlluar “shpirtrat e tyre të bukur”, ndërsa dënimi ndërkombëtar rritet për aksidentin, shkruan BBC.
Një shtetas amerikano-kanadez, një palestinez, tre britanikë, një australian dhe një polak u vranë kur një sulm i Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) goditi një kolonë WCK që po kthehej nga puna e përditshme.
“Këta janë heronjtë e WCK,” tha CEO i organizatës Erin Gore në një deklaratë duke zbuluar identitetin e tyre.
“Këta 7 shpirtra të bukur u vranë nga IDF në një sulm ndërsa po ktheheshin nga një mision gjithëditor. Buzëqeshjet, të qeshurat dhe zërat e tyre do të mbeten përgjithmonë të gdhendura në kujtimet tona’’, shtoi ai.
WCK i emëroi punëtorët e vrarë si Saifeddin Issam Ayad Abutaha, Laizawmi “Zomi” Frankcom, Damian Soból, Jacob Flinkinger, John Chapman, James “Jim” Henderson dhe James Kirby.
John Chapman, James Henderson dhe James Kirby
Tre anglezët e vrarë ishin John Chapman, 57 vjeç, James “Jim” Henderson, 33 vjeç dhe James Kirby, 47 vjeç. Të tre punuan në ekipin e sigurisë të WCK.
Kirby ishte një veteran ushtarak që kishte shërbyer më parë në Forcat e Armatosura Britanike në Afganistan dhe Bosnjë.
Familja e Chapman tha në një deklaratë se ai “do të jetë përgjithmonë një hero dhe vdiq duke u përpjekur të ndihmonte njerëzit”.
Saifeddin Isam Ajad Ebutaha
Katër personat e tjerë të vrarë punonin në ekipin e shpëtimit. Midis tyre ishte edhe palestinezi Saifeddin Issam Ayad Abutaha, i cili në moshën 25-vjeçare ishte më i riu nga viktimat dhe kishte dalë vullnetar si shofer në WCK.
Jacob Flickinger
Jacob Flickinger, 33 vjeç, ishte një shtetas i dyfishtë amerikano-kanadez.
Samantha Power, zyrtarja më e lartë e ndihmës humanitare në SHBA, tha se ‘’vdekja e Flickinger dhe kolegëve të tij ishin thellësisht shqetësuese’’, ndërsa presidenti Joe Biden shkroi se ai ‘’ishte i indinjuar dhe zemërthyer nga incidenti’’.
Damiano Sobol
Autoritetet polake konfirmuan se një nga shtetasit e saj, Damian Sobol, nga qyteti i Przemysl në Poloninë juglindore, ishte në mesin e të vrarëve.
“Dje kolegu ynë, banor i Przemyśl, vullnetar, anëtar i ekipit World Central Kitchen, Damian Soból, u vra në një sulm me raketa nga forcat izraelite në një autokolonë humanitare që shpërndante ushqim në Rripin e Gazës,” tha ai në një deklaratë kryetari i bashkisë Wojciech Bakun.
Lalzawmi “Zomi” Frankcom
Kryeministri australian Anthony Albanese vlerësoi Lalzawmi “Zomi” Frankcom, duke përmendur përpjekjet e tij të mëparshme humanitare.
“Kjo është dikush që doli vullnetar në Australi për të ndihmuar njerëzit gjatë zjarreve. Ky është dikush që ka dalë vullnetar jashtë vendit për të ofruar ndihmë nëpërmjet kësaj bamirësie për njerëzit që vuajnë nga privimi i madh në Gaza”, tha Albanese.
Frankcom kishte punuar me WCK që nga viti 2019, së fundmi si menaxhere e lartë e operacioneve të saj në Azi, sipas faqes së saj në LinkedIn.



