Kurti: Me Shqipërinë nuk jemi kurrë mjaftueshëm afër
Kryeministri Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes, ka bërë një përmbledhje të marrëdhënieve me Shqipërinë, me të cilën, siç shprehet ai, “nuk jemi kurrë mjaftueshëm afër. Ka gjithmonë vend për përafrim, tema për përbashkim dhe fusha për përfitim të dyanshëm”.
“Sot, marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar më shumë se ndonjëherë më parë. Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik. Funksionalizuam dhe përuruam bursën shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, e cila na mundëson të rrisim shumëfish shkëmbimet përmes kësaj burse të përbashkët. Po aq historike ishte edhe kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Bregdeti shqiptar do të mirëpresë sportin e lundrimit në kuadër të këtyre lojërave”, shkruan Kurti.
Mes dy vendeve janë firmosur 58 marrëveshjeve bilaterale gjatë këtyre tre viteve, e në kuadër të të cilave janë mbajtur edhe dy mbledhje fizike të përbashkëta të qeverive tona. Ndër të tjera Kurti rendit lehtësimin e qasjes në shërbimet e përditshme; heqjen e kërkesës për vulë apostile; nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e të drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dy vendet; funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta ndërkufitare etj.
Kryeministri Kurti ndalet edhe në projektet e shumta ekonomike që presin të zbatohen midis dy vendeve tona, ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës dhe hapja e korridoreve ajrore.
Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Sipas tij, “Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët”.
