Kategoria e Parë/ Flamurtari dhe Elbasani “ngecin” në transfertë, “bie” Bylisi
Në ndeshjen e javës së 26 në Kategorinë e Parë, Bylis u mposht në transfertë me rezultatin 0-1 nga Burreli.
Një gol i Ferrukut në minutën e 43 u mjaftoi vendasve për të marrë tre pikë shumë të rëndësishme për llogaritë e klasifikimit.
Pas kësaj fitoreje, Burreli mban vendin e shtatë me 31 pikë, ndërsa Bylis mbetet i dyti me 58 pikë, dy më pak se Elbasani kryesues.
Verdheblutë, nuk mundën të krijonin një shkëputje duke qenë se u ndalën në transfertë nga Kastrioti në një barazim 2-2.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Nevil Dede kaloi dy herë në avantazh, por krutanët ditën të reagonin dhe të merrnin një pikë.
Pas këtij barazimi, Kastrioti mban vendin e nëntë me 27 pikë.
Ndërkohë, edhe Flamurtari nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Korabit.
Madje, vlonjatët rrezikuan ta humbisnin sfidën pasi ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me Markun në minutën e 67.
Gjithsesi, kuqezinjtë reaguan dhe gjetën rrugën e rrjetës nëntë minuta më vonë me Dalanajn.
Pas këtij barazimi, Flamurtari renditet në vendin e tretë me 47 pikë ndërsa Korabi mban vendin e gjashtë me 37 pikë.
Në ndeshjet e tjera, Besa fitoi me Luzin me shifrat 4-1, ndërsa Apolonia mposhti 2-1 Tomorin.
