Gazetarët amerikanë mbahen “peng” në Rusi, 32-vjeçarit i shtyhet paraburgimi edhe me 3 muaj të tjerë Reagon SHBA
Një tjetër gazetari i është shtyrë dënimi në Rusi dhe vijon të mbahet në paraburgim me akuzën e spiunazhit. Ambasadorja e SHBA në Rusi, Lynne Tracy i quajti akuza të pabazuara me prapavijë politike.
Rusia ka zgjatur me tre muaj paraburgimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich. Gjykata e qytetit të Moskës urdhëroi të martën që gazetari 32-vjeçar i "Wall Street Journal" të qëndrojë pas hekurave deri më 30 qershor, ndërsa ai pret gjykimin i akuzuar për spiunazh.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara e kritikoi vendimin duke thënë se Rusia po përdor qytetarët amerikanë si pengje për të arritur qëllimet e veta politike.
Gershkovich dhe WSJ kanë mohuar vazhdimisht akuzat që nga arrestimi i tij në mars 2023 ndërsa ishte në detyrë në qytetin Urals të Yekaterinburg.
Autoritetet ruse nuk kanë detajuar se çfarë provash kanë.
Ambasadorja e SHBA në Rusi, Lynne Tracy mori pjesë në seancën gjyqësore dhe përsëriti se çështja e ngritur ndaj Evan është tërësisht e pa faktuar.
“Ato nuk janë një interpretim i ndryshëm i rrethanave. Ato janë trillime,” u tha Tracy gazetarëve jashtë gjykatës.
Diplomatja pohoi se nuk ka "asnjë justifikim për ndalimin e vazhdueshëm të Evan dhe asnjë shpjegim se pse puna e tij përbënte një krim".
Madje ajo ka krahasuar këtë çështje me një tjetër rast.
“Ka të bëjë me përdorimin e qytetarëve amerikanë si pengje për të arritur qëllime politike, siç po bën edhe Kremlini në rastin e Paul Whela, shton ambasadorja.
Uashingtoni është zotuar të bëjë "çfarëdo që duhet" për të sjellë në shtëpi Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan, i cili u dënua në vitin 2020 me akuza për spiunazh me 16 vjet.
Analistët sugjerojnë se Moska mund të përdorë qytetarët e burgosur të SHBA-së si mjete pazari në rritjen e tensioneve SHBA-Rusi mbi operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë.


