“Dyert e bukura” të Onufër Qipriotit nga kisha e Shën Kollit, Berat
Muzeu Historik Kombëtar publikoi në rrjetet sociale “Dyert e bukura” të kishës së Shën Kollit në kalanë e Beratit.
“Dyert e bukura” kanë qenë pjesë e ikonostasit të kishës së Shën Kollit, në kalanë e Beratit. Vite më vonë ato janë përshtatur për kishën e “Shën Mërisë” së Vllahernës në Berat.
“Dyert e bukura” datojnë në vitin 1591. Ato janë pikturuar nga Onufër Qiprioti. Secila derë është e ndarë në dy hapësira prej bordurave të gdhendura në trajtë gërsheti.
Në pjesën e sipërme të dyerve paraqiten profetët Davidi e Isaia, që mbajnë pergamenë në duar.
Në pjesën e poshtme të “Dyerve të bukura” është pikturuar skena e Ungjillëzimit, ku kryeëngjëlli Gabriel njofton Shën Mërinë, se do të ketë një fëmijë.
Nën këmbët e kryeëngjëllit Gabriel, Qiprioti ka shënuar emrin e tij: ΧΕΙΡ ΟΝΟΥΦΡΙΟΥ ΚΙΠΡΕΟΥ ΕΤΟΥΣ /ΑΦΖΑ “Dora e Onufër Qipriotit, viti 1591”.

