I sanksionuar nga SHBA dhe Britania, Lajçak takohet me kreun e Republika Srpska, Dodik

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me liderin e Republika Srpska, Milorad Dodik, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Lajçak dhe Dodik u takuan të premten në punimet e Forumit Diplomatik në Antalia të Turqisë.

“Më vjen mirë që pata rastin të takoj të tre anëtarët e Kryesisë së Bosnjes, si dhe z. Dodik në Antalia.

Unë nënvizova rëndësinë thelbësore për të kryer reformat e nevojshme që Bonsja të ecë përpara në rrugën e saj evropiane në mars.

Kjo është me interes jetik për të gjithë vendin”, shkroi Lajçak në rrjetin social “X”.

Veç Dodik, Lajçak takoi edhe dy anëtarët e tjerë të Presidencës së Bosnjes, me të cilët diskutoi reformat e nevojshme për integrimin në BE.

Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja në 5 janar të vitit 2022.

SHBA e ka akuzuar atë se ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive. Dodik është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe.