Interi rinis stërvitjen, Inzaghi rikuperon dy titullarët e dëmtuar

Interi rikthehet në stërvitje, pas një dite pushimi, teksa me 12 pikë më shumë se vendi i dytë. Kundërshtari i radhës i zikaltërve është Genoa, që do të zbarkojë në “San Siro” mbrëmjen e të hënës.

Trajneri Inzaghi ka marrë një lajm mjaft të mirë nga infermieria, pasi Marcus Thuram dhe Francesco Acerbi kanë lënë pas krahëve dëmtimet përkatëse dhe do të stërviten rregullisht me grupin.

Të dy pritet të marrin disa minuta ndaj ligurëve, ndonëse jo nga fillimi, teksa vijojnë stërvitjen e diferencuar Calhanoglu dhe Frattesi, të cilët pritet të bashkohen me grupin vetëm javën e ardhshme, për të qenë gati për sfidën me Bolognën.

Gjithsesi formacioni është problemi më i vogël për trajnerin zikaltër, pasi skuadra ka treguar se pavarësisht emrave në fushë, interpreton njësoj ndeshjet.