Interi një “makineri” perfekte, vetëm 4 gola të pësuar në 10 ndeshje në vitin 2024
Interi ka shifra mbresëlënëse në fazën e mbrojtjes. Viti 2024 filloi edhe më mirë sesa përfundoi 2023 dhe këtë e tregojnë dhe statistikat. Në fakt, në 10 ndeshjet e fundit, zikaltrit kanë pësuar 4 gola dhe kanë 7 ndeshje pa pësuar gol, pra sa 70% e ndeshjeve të luajtura.
Të mos harrojmë se kanë pasur duele me kundërshtar të nivelit të lartë si Juventus, Atletico Madrid apo Roma. Atalanta do të jetë një provë e mirë, sepse ata kanë qenë gjithmonë një ekip që nuk e ka problem të sulmojë dhe mbi të gjitha që ka cilësi të shkëlqyera në sulm.
Megjithatë, skuadra e Inzaghit nuk ka pësuar gol që nga ndeshja ndaj Romës. Sot do të rikthehet edhe Yann Sommer , i cili pa i hequr asgjë Emil Audero-s, duket se ofron një nivel tjetër sigurie në krahasim me atë të zëvendësit të tij.
Acerbi, Calhanoglu dhe Thuram do të mungojnë, por mungesat e tyre nuk janë më lajm. Interi është një makineri lufte, rrezikon të shkojë mbi 100 pikë në fund të Serisë A dhe të gjithë ata që përdoren janë mbi pritshmëritë. De Vrij, Asllani dhe Arnautovic, kanë demonstruar se sa herë u është dhënë hapësira dinë të lënë gjurmë.

