Parlamenti hungarez zgjedh Presidentin e ri pas skandalit seksual me fëmijët e një jetimoreje

Parlamenti i Hungarisë ka zgjedhur një President të ri pasi Presidentja e mëparshme, Katalin Novak dha dorëheqjen pas një skandali për faljen që ajo i dha një bashkëpunëtori në një rast abuzimi seksual të fëmijëve.

Ligjvënësit në një votim të fshehtë miratuan emërimin në Presidencë të Tamás Sulyok, 67 vjeç, një avokat i cili ka shërbyer më parë si kreu i Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë. Sulyok pritet të marrë zyrtarisht rolin më 5 mars.

Disa parti opozitare nuk morën pjesë në votim dhe bënë thirrje për zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale në vend të emërimeve me votim në parlament, raporton AP. Ata argumentuan se presidenti i ri do të ishte një “ushtar partie” i kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Roli i Presidentit në Hungari është kryesisht ceremonial, ndonëse ata kanë fuqinë t’i dërgojnë projektligjet mbrapsht ligjvënësve ose Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.

Në fjalimin e tij, Sulyok iu referua procedurave që po zhvillohen aktualisht kundër Hungarisë, në të cilat Bashkimi Evropian ka ngrirë miliarda financime për shqetësimet e sundimit të ligjit dhe demokracisë.

Ai foli gjithashtu për besimin e tij se vendet anëtare të Bashkimit Evropian ruajnë sovranitetin e tyre ligjor kombëtar pavarësisht anëtarësimit të tyre në bllok.

Zgjedhja e një kreu të ri të shtetit erdhi pasi presidentja konservatore e Hungarisë dha dorëheqjen më 10 shkurt, mes protestave publike për faljen që ajo i dha një burri të dënuar për ndihmën për të mbuluar abuzimin seksual të fëmijëve në një jetimore shtetërore.

“Bazuar në kërkesën për mëshirë dhe informacionin e disponueshëm, vendosa në prill të vitit të kaluar në favor të mëshirës me besimin se i dënuari nuk ka abuzuar me cenueshmërinë e fëmijëve që i janë besuar”, tha Novák. “Kam bërë një gabim, sepse vendimi për falje dhe mungesa e justifikimit ishin të përshtatshme për të ngritur dyshime për zero tolerancë ndaj pedofilisë. Por këtu, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë dyshim”, deklaroi ajo në fjalimin e saj të fundit si presidente.

Largimi i Novák erdhi si një pjesë e rrallë e trazirave politike për partinë qeverisëse nacionaliste të Hungarisë Fidesz, e cila ka qeverisur me një shumicë kushtetuese që nga viti 2010.

Novák, një aleat kryesor i Orbanit dhe një ish-zëvendës president i Fidesz, shërbeu si ministre e Hungarisë për familjet deri në emërimin e saj në presidencë. Ajo ishte presidentja e parë femër në historinë e Hungarisë dhe personi më i ri që ka mbajtur ndonjëherë këtë post.