“Hallet” vijnë nga fustani/ Gruaja në Pakistan akuzohet për blasfemi për veshjen me kaligrafi arabe
Një grua në Pakistan u përball me akuza për blasfemi dhe thirrje për ekzekutim, për shkak se doli në publik e veshur me një fustan me kaligrafi arabe, në dukje vargje Kurani, por në fakt thjeshtë ishte shkruar fjala “e ëmbël”
Ky fustan i stolisur me kaligrafi arabe që mban veshur, e ka futur në një telash të madh këtë grua në Pakistan…
Një turmë e zemëruar prej afro 300 vetash u mblodhën rreth saj në një restorant, duke e akuzuar për blasfemi.
Shkrimi në fustan lexohet “Halwa” që do të thotë ‘e ëmbël’ por njerëzit e kanë ngatërruar atë me vargje të Kuranit.
Blasfemia dënohet me vdekje në Pakistan, teksa disa të dënuar janë ekzekutuar edhe përpara se të dilnin në gjyq.
Sipas videove që po bëjnë xhiron e rrjetit, gruaja e frikësuar duket e ulur në një cep të restorantit duke mbuluar fytyrën me duar, teksa oficerët e policisë janë e vetmja barrikadë mes saj dhe turmës së nervozuar, të cilët bëjnë thirrje që atyre që blasfemojnë t’u pritet koka.
Ata kërkojnë nga gruaja të heqë fustanin. Autoritetet në Pakistan e mbuluan zonjën dhe e shoqëruan të sigurtë drejt komisariatit duke I bërë thirrje turmës për tu qetësuar dhe duke u premtuar se do të merren masa sipas ligjit.
Si përfundim, disa studiues fetarë konfirmuan se teksti në veshjen e saj ishte kaligrafi arabe, jo vargje nga Kurani.
Më pas, policia u kërkoi studiuesve të regjistronin një video që tregonte gjetjet e tyre dhe se gruaja ishte e pafajshme.
“Unë nuk kam pasur ndonjë qëllim të tillë, ndodhi gabimisht. Megjithatë unë kërkoj falje për gjithçka që ndodhi dhe do të sigurohem që të mos ndodhë më”, tha gruaja në fjalë, duke shtuar se është një myslimane e devotshme dhe nuk do të kryente kurrë blasfemi.
Ligjet kundër blasfemisë u kodifikuan fillimisht nga sundimtarët britanikë të Indisë dhe u zgjeruan në vitet 1980 nën qeverinë ushtarake.
Në gusht të vitit të kaluar, shumë kisha dhe shtëpi u dogjën në lindje të Pakistanit, pasi dy burra nga qyteti u akuzuan për dëmtim të Kuranit.


