Urdhër-arresti nga Moska, kryeministrja e Estonisë, Kallas: Rusia s’më frikëson dot

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka hedhur poshtë urdhër-arrestin e lëshuar nga Rusia. Sipas saj, kjo është një përpjekje për ta frikësuar atë.

Estonia, që dikur sundohej nga Moska, tashmë anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka qenë një mbështetëse e Kievit dhe për këtë arsye kryeministrja Kallas, ka qenë nën vëzhgimin e Moskës.

Në këtë mënyrë, policia ruse e vendosi atë dhe disa politikanë të tjerë të vendeve Balltike në listën e të kërkuarve  më 13 shkurt për shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.

“Kjo ka për qëllim të frikësojë dhe të më bëjë të përmbahem nga vendimet që përndryshe do të merrja. Por këto janë lojërat e Rusisë. S’ka asgjë befasuese dhe ne nuk kemi frikë", deklaroi Kallas.

Politikanët baltikë rrezikojnë të arrestohen nëse kalojnë kufirin rus, ndërsa shpallja e tyre në kërkim nuk ka pasoja konkrete.

Ndërkaq, profili i lartë i Kallasit ka krijuar spekulime në Bruksel se ajo mund të marrë postin e shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, pas zgjedhjeve parlamentare.

Sipas saj, këto spekulime po kontribuojnë në agresivitetin e Moskës ndaj saj.

Është e vështirë të jesh popullor. Këtë e kanë parë edhe rusët dhe për këtë arsye kanë lëshuar urdhrin e arrestit për të theksuar vërtet argumentin më të madh kundër meje, se unë jam një provokim për Rusinë”, u shpreh ajo.