“Do vazhdojmë me ofensivën e Rafahut”, Netanyahu nuk bën mbrapa: Do të luftojmë deri në fitoren e plotë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se trupat e tij do të avancojnë në Rafah të Gazës, duke sfiduar në këtë mënyrë lutjet nga shtetet e tjera për ta rishqyrtuar. Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë e tij që të përgatitet për një sulm tokësor të fuqishëm, duke deklaruar se Hamasi duhet të eliminohet nga Gaza.

Benjamin Netanyahu, është zotuar sërisht se do të vazhdojë me ofensivën e Rafahut. Ai ka urdhëruar ushtrinë e tij që të përgatitet për një sulm tokësor të fuqishëm, duke deklaruar se Hamasi duhet të eliminohet nga Gaza, duke sfiduar në këtë mënyrë lutjet nga shtetet e tjera për ta rishqyrtuar.

“Ne do të luftojmë deri në fitoren e plotë dhe kjo përfshin një aksion të fuqishëm edhe në Rafah pasi të lejojmë popullsinë civile të largohet nga zonat e betejës,” tha ai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ishte mes atyre që paralajmëruan Netanyahun, duke i thënë se kostoja njerëzore e operacionit të Izraelit në Gaza ishte e patolerueshme.

Ai shprehu kundërshtimin e vendosur të Francës ndaj një ofensive izraelite në Rafah, e cila mund të çojë vetëm në një fatkeqësi humanitare të përmasash të reja.

Kryeministrat e Australisë, Kanadasë dhe Zelandës së Re dhanë një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimin e tyre të madh se një operacion ushtarak në Rafah do të ishte katastrofik.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të mos ndjekë këtë rrugë”, thuhet në deklaratë.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, duke vizituar Izraelin, tha se njerëzit në Rafah nuk kanë ku të shkojnë. Rreth 1.4 milionë palestinezë janë strehuar në Rafah, i cili tashmë është nën bombardime.