30 vite burg për abortin/ Gjykata liron gruan 7 vite pas arrestimit: U dënua gabimisht!

Një grua në El Salvador është liruar pas 7 vitesh qëndrim në burg, pasi u zbulua se u dënua gabimisht nën akuzën e abortimit. Avokatët zbuluan se faji ishte i spitalit pasi asaj nuk iu dha shërbimi i duhur për të bërë të mundur të sillte në jetë fëmijët. Në total ajo u dënua me 30 vite, ndërsa pas daljes nga qelia kërkoi mbrojtjen e grave që akuzohen në mënyrë të padrejtë

7 vite më parë 28-vjeçarja e identifikuar me emrin Lilian u dënua me 30 vite burg nga gjykata në El Salvador për shkak të abortimit.

Në atë kohë prokurorët e akuzuan se nuk ishte kujdesur si duhet për të sjellë në jetë fëmijën. Ndaj referuar ligjeve të vendit ku aborti është i ndaluar rreptësisht ndaj saj u vendos arresti.

Pas shumë kundërshtimeve dhe mos pranimit të fajit, togat e zeza kanë vendosur ta lirojnë.

Provat dhe argumentet e avokatëve kanë konstatuar se i gjithë faji është i spitalit dhe se gruaja, e cila gjithashtu ka një vajzë 10 vjeçare, nuk ka marrë shërbimin e duhur shëndetësore dhe se ishte në një situatë të pambrojtur.

Si pasojë ajo humbi dhe fëmijën. Gjykata i ka konsideruar të drejta pretendimet duke e kthyer Lilianën në shtëpi.

Për mediat ajo kërkoi që rasti të bëhet shembull për të shpëtuar gra të tjera ndaj të cilave janë ngritur akuza të padrejta

 “Në emër të të gjithë vajzave dhe grave, ju kërkoj të ndaloni së akuzuari dhe ndjekur penalisht gra të tjera të pafajshme si unë”, tha ajo në një konferencë për shtyp të mërkurën.

“Ishte një traumë shumë e vështirë për të jetuar dhe nuk ia uroj askujt”, shtoi ajo.

Grupet e shoqërisë civile që mbështetën Lilian gjatë vuajtjes së saj thanë se ajo u lirua në dhjetor, por informacioni është bërë publik vetëm tani.

Dhjetëra gra besohet se janë burgosur gabimisht në El Salvador nën dyshimin se kanë pasur një abort.