Sulmohet anija greke në Detin e Kuq, ja çfarë ndodhi me ekuipazhin

Një anije mallrash greke e cila po lundronte nën flamurin e Maltës në brigjet e Jemenit në Detin e Kuq, u sulmua nga një raketë mesditën e sotme (16 janar 2024).

Lajmi për sulmin ndaj anijes greke të quajtur “Zografia” u konfirmua nga kompania britanike e sigurisë detare Ambrey.

Kompania e sigurisë detare tha se anija u shenjëstrua dhe u godit nga një raketë, teksa po lundronte në veri të Detit të Kuq, 76 milje detare në veriperëndim të qytetit port të Jemenit, Saleef.

Për fat të mirë ekuipazhi i anijes nuk është lënduar, ndërsa raportohet për dëme të rënda materiale nga sulmi, shkruan BBC.

Sipas përfaqësuesit të “Vulcanis Technical Maritime Enterprises”, me qendër në Pirea, ekuipazhi i anijes, 24 persona, të gjithë të huaj, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ekuipazhi përbëhet nga tre shtetas filipinas, 20 ukrainas dhe një shtetas gjeorgjian. Anija po vazhdon lundrimin drejt destinacionit të saj ku edhe do të vlerësohen dëmet materiale.

Zografia po lundronte nga Vietnami për në Izrael me 24 anëtarë të ekuipazhit në bord kur u godit të martën, thanë për mediat burime të ministrisë greke të anijeve.

Deti i Kuq lidh Oqeanin Indian me Mesdheun nëpërmjet Kanalit të Suezit, por disa linja detare kanë njoftuar se aktualisht po devijojnë rreth Kepit të Shpresës së Mirë për të arritur në Evropë.

Gjigandi britanik i naftës Shell të martën u bë i fundit që pezulloi të gjitha dërgesat e tij përmes Detit të Kuq për një kohë të pacaktuar, sipas Wall Street Journal.

Protothema.gr shkruan se grupi Houthis morën përgjegjësinë për sulmin me raketa në anijen e mallrave në pronësi greke në Detin e Kuq.

“Ne shënjestruam të martën (16/1) anijen Zografia e cila po shkonte drejt Izraelit, me raketa që rezultuan në një ‘goditje të drejtpërdrejtë’”, tha zëdhënësi ushtarak Houthi në një njoftim lidhur me rastin.

Incidenti i sotëm në Detin e Kuq vjen pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte konfiskuar armë të furnizuara nga Irani për grupin Houthis gjatë një operacioni javën e kaluar.

SHBA-ja ka goditur më shumë objektiva në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit.

Një zyrtar amerkan tha për BBC, se SHBA kreu sulme të mëtejshme në pozicionet e Houthive gjatë natës.

Katër raketa balistike kundër anijeve që ishin gati për t’u lëshuar u shkatërruan, tha zyrtari.

SHBA dhe Britania e Madhe nisën një valë sulmesh ajrore kundër dhjetëra objektivave Houthi më 11 janar pas sulmeve të grupit të mbështetur nga Irani mbi anijet në Detin e Kuq.