Fiton primaret brenda Republikanëve në Iowa, Trump: Kjo është nata e parë, "e madhja" në nëntor!

Donald Trump ka siguruar një fitore dërrmuese në garen e parë brenda partisë Republikane në shtetin e Iowa-s, duke forcuar statusin e tij si kryesuesi i qartë për nominimin presidencial republikan në vitin 2024. Trump siguroi 51.9 përqind të votave të republikaneve të këtij shteti.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, largoi ish-ambasadoren e OKB-së, Nikki Haley, për të zënë vendin e dytë, por shumë larg Trump me 21.7 përqind të votave. Trump përshëndeti fitoren e tij në një fjalim para mbështetësve, duke thënë se ai dëshiron të “rregullojë problemet e botës”.

“Ne do të mbyllim kufirin,” tha ai. “Aktualisht ne po përballemi me një pushtim”. Trump, i cili kohët e fundit tha se emigrantët po “helmojnë gjakun” e kombit, pretendon se emigrantët që hyjnë në vend vijnë nga burgje, azile mendore, qeliza terroriste dhe vende për të cilat njerëzit nuk kanë dëgjuar kurrë.

Ai premtoi një nivel deportimi që nuk e kemi parë për një kohë të gjatë. Së fundi, para se të largohej nga skena, ai u tha votuesve se kjo “natë shumë e veçantë” është vetëm e para “sepse nata e madhe do të jetë në nëntor”.

Sondazhet treguan imigracionin si shqetësimin kryesor për votuesit, i ndjekur nga ekonomia; Problemet ligjore të Trump nuk ishin një faktor kryesor në mendjet e votuesve.

Ndërkohë sipërmarrësi i bioteknologjisë Vivek Ramaswamy largohet nga gara dhe mbështet Trump.

Kushdo që fiton nominimin republikan do të përballet me një demokrat, pothuajse me siguri Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Gara zhvendoset në New Hampshire të martën e ardhshme. Trump kryeson në sondazhet e shtetit gjithashtu.