Pedagogu: Njeriun që na priu më shumë dhe më gjatë për të kthyer liritë, e cenojnë sot me heqjen e lirisë dhe fjalës, prandaj sot jemi në krah të tij
Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtepie janë mbledhur poshtë banesës së tij në protestë edhe sot në mot të ftohtë dhe ditë pushimi.
Me thirrje “Berisha, Berisha”, ata shprehin mbështetje ndaj liderit të opozitës, ndërsa akuzojnë qeverinë për tentativë të asgjësimit të saj.
Edvin Cami, pedagog dhe activist i shoqërisë civile ka mbajtur një fjalim shumë kuptimplotë nga ku u është drejtuar atyre që i thërrasin mbështetësit e Berishës si militant.
“Besoj se e mbani mend se 3 vite më parë se Partisë Demokratike i erdhi një ofertë për t’u ngjitur në pushtet falas, pa zgjedhje. Në këmbim qeveria kërkonte, kishte vetëm dy kushte, që me gjuhën e kryeministrit shpreheshin me një fjali të vetme, “Largoni Saliun, ndahuni me Ilirin dhe ejani të bashkëqeverisim. Oferta e tillë e qeverisë u përforcua edhe në anglisht nda deklarata ndërkombëtarësh që e ftonin Partinë Demokratike që të ndahet nga e kaluara. Deklarat që s’ka mbetur pa e marrë vesh kush se janë deklarata që porositen nga gjithkush që paguan me lobing.
E papritura më e pakëndshmë ishte se ata që ne i kishim mandatuar për të na përfaqësuar në opozitë dhanë shenja për t’i zbatuar me zell kërkesat e qeverisë. Por ja që demokratët qëndruan, edhe kërkesave të qeverisë për të bashkëqeverisur, edhe presionit të deklaratave të saj të porositura në anglisht se, nuk ia vlen të hani bar për hirë të një një njeriu, demokratët iu përgjigjën duke bërë qëndresë. Sepse demokratët ndiejnë se nuk kanë një të kaluar për t’u turpëruar por, për t’u krenuar. Dhe sepse demokratët nuk mund të jenë aq pa moral sa që në këmbim të kalasë së pushtetit t’u hedhin çakenjve prijësin dhe bashkëluftëtarin e tyre. Mblidhemi këtu për Sali Berishën sepse është njëri nga ne. Njeriun që na priu më shumë dhe më gjatë për të kthyer liritë, e cenojnë sot me heqjen e lirisë dhe fjalës, prandaj sot jemi në krah të tij”, tha pedagogu Cami në fjalën e tij.

