Zgjedhjet e 8 majit, Nebiu: Shqiptarët në RMV të ndarë! Opozita në sondazhe fituese, shkak radikalizmi i kalkuluar ndaj Bullgarisë
Maqedonia e Veriut ka hyrë në periudhë zgjedhore, ku fillimisht në muajin prill në vendin fqinj do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe pak ditë më pas, konkretisht më 8 maj do të ketë dhe zgjedhje parlamentare.
Dhe këtë periudhë parazgjedhore, vendin pritet ta drejtojë për herë të parë në historinë e tij një kryeministër shqiptar si Talat Xhaferi.
Për të kuptuar më shumë nga kjo situatë dhe rreshtimi i partive shqiptare në studion e lajmeve në “Ora News”, ishte i ftuar analisti Besim Nebiu, i cili tha se pjesa negative e fushatave ende nuk ka filluar.
“Pra, kam parasysh se kundërshtarët politikë ende nuk kanë nisur me akuzat dhe kundërakuzat, me publikime skandalesh dhe gjithçka ndodh përherë kur ka zgjedhje këtu.
Ka rreshtime, rirreshtime, krijimi i blloqeve të reja apo ribashkime të tyre. Dhe kjo është ajo çfarë ofron skena politike maqedonase”, tha ai.
Ndërkaq Nebiu u pyet edhe mbi vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që të marrë pjesë në Qeverinë Teknike, që do të thotë emërimi i personave të cilët konform ligjit për qeveri duhet të jenë me propozim të VMRO-DPMNE-së.
“VMRO-ja luan një lojë e cila është pak edhe komike. Ajo i bashkëngjitet qeverisë por nuk do ta votojë qeverinë së cilës i bashkohet. Kjo është situata.
Natyrisht, kjo qeveri nuk është politike, por teknike dhe 100 ditë para zgjedhjeve ajo del nga ligji dhe krijohet një koalicion i gjerë me mandat teknik, ku opozita delegon disa ministra me poste kyçe teknike.
Opozita maqedonase nga të gjitha sondazhet është në epërsi. Dhe kjo epërsi është krijuar nga koncesionet e qeverisë që do t’i bënte Mqedonia ndaj Bullgarisë me ndërrimin e Kushtetutës, pra me një rrymë të theksuar nacionaliste, e cila është politikisht e rëndësishme për VMRO-në për shkak se kjo i krijon avantazh numrash.
Pra kemi një kalkulim numrash, ndaj ata e mbajnë dhe këtë vendim radikal. Kryesisht ajo është një parti nacionaliste, por në këtë rast është edhe pak më shumë radikale nga herët e tjera, dhe këtë e bazon tek kalkulim, duke e mbajtur të gjallë temën me Bullgarinë dhe duke e mobilizuar kushtimisht votën e djathtë dhe ultra të djathtë”, u shpreh ndër të tjera në analizën e tij Besim Nebiu.



