Tërmeti në Japoni, vijojnë kërkimet për të mbijetuar. Numri i viktimave arrin në 78-të

4 ditë pas tërmetit vdekjeprurës në Japoni vijojnë kërkimet për të shpëtuar të mbijetuarit nën rrënoja, teksa numri i viktimave ka arritur në 78.

Mbi 50 persona të tjerë besohet se kanë mbetur të bllokuar nën ndërtesat e rrëzuara nga tërmeti i së hënës, teksa ekspertët janë shprehur se shpresat për t’i nxjerrë të gjallë janë venitur pas ditës së tretë.

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.5 dhe epiqendër në prefekturën e Ishikavas u ndoq nga qindra pasgoditje, ndërsa të paktën 330 persona janë raportuar të plagosur.

Pak minuta pas lëkundjes së madhe sizmike, edhe një cunam goditi zonën, që shkaktoi valë mbi një metër të larta.

Autoritetet po përballen me vështirësi pasi nuk po mund të arrijnë në disa komunitete për të shpëtuar të mbijetuarit.

Në disa zona vazhdon të mos ketë ujë, energji elektrike dhe valë telefonike.

Meteorologët kanë paralajmëruar se do të ketë shira të rrëmbyeshëm në Ishikava, duke shtuar shqetësimet se mund të ketë rrëshqitje të dheut dhe të ketë dëme edhe më të mëdha në ndërtesat që janë buzë shembjes.

Temperaturat gjatë natës që kaloi kanë rënë nën 4 gradë Celsius.

Japonia shpesh goditet nga tërmetet sepse gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.