Urimi ideal i një ekonomisti të majtë!

Thuajse çdo gjë sot mund blihet me para. Arsimi, shëndetësia, kujdesi për të vegjlit tanë, radha e shpejtë, vendi më i mirë në avion, shoqëria e një vajze të bukur, notat kaluese në universitet, nënshtetësia, veshka, votat, edhe bashkë me to edhe një vend përfaqësimi në Parlament. Sot paratë janë rruga më e thjeshtë drejt rezultatit të dëshiruar.

Çdo ditë e më shumë vlerat shoqërore po kthehen në mallra ose shërbime duke i çuar ato në territore ku ato nuk përkasin. Duke pasur pothuajse çdo gjë në shitje nga ekonomi tregu po transformohemi në shoqëri tregu, ku paraja po klasifikohet si vlera më e rëndësishme, ose perëndia e re.

Pikërisht këtë tregon studimi i fundit i Universitetit të Çikagos ku pjesëmarrësit shprehën rëndësinë e patriotizmit, fesë, të pasurit fëmijë, angazhimit në komunitet edhe parave në jetën e tyre.

Edhe pse amerikanët këmbëngulin që vlerat tradicionale janë të shenjta për ta, grafiku tregon se rënia e madhe e rëndësisë së patriotizmit, fesë, të pasurit fëmijë apo edhe angazhimit në shoqëri ja ka lenë vendin ngjitjes së pandërprerë së rëndësisë së parasë. E pra vlerësimi më i madh për paranë, po "shfuqizon motive më të mira humane", duke i larguar njerëzit nga vlerat për të cilat ia vlen të kujdesesh.

Një shprehje e vjetër thotë "Çdo gjë e rëndësishme është shtatzënë me të kundërtën e saj, ndaj rendja pas parasë i jep jetë varfërisë ! Mendojeni për një moment se si do të ndryshonte darka e sotme e Vitit të Ri nëse nëna ju thotë fëmijëve të saj të rritur se, për të qenë pjesë e saj, secili i detyrohet asaj 5,000 lekë?

Ndaj, urimi ideal i një ekonomisti/te të majtë për miqtë e tij në prag të Vitit të Ri do të ishte - le të mos e bëjmë paranë vlerën më të rëndësishme të jetës tonë. Le të kujdesemi më shumë për njëri tjetrin. Testi i fundit i jetës së mirë është një jetë e jetuar me dashurinë e njerëzve që do të donim të na donin.

Gëzuar 2024!