Mitrovica e Veriut ndan parcelë për Policinë e Kosovës, reagojnë Lista Serbe dhe Petkoviçi

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, të premten kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27, 400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i cili tha se kjo është bërë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Uglanin potencoi se në parcelë është planifikuar të ndërtohet një stacion policor, “sepse ky i tanishëm ndodhet në një objekt që i përket Minierës së Trepçës”.

Për këtë ka reaguar Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, duke thënë se qeveria e Kosovës “po tenton të okupojë tërë veriun”.

Edhe Lista Serbe ka reaguar, duke kërkuar takim “urgjent” me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas vendimit të KK të Mitrovicës së Veriut.

Ndryshe, javë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit me asistimin e Policisë së Kosovës, e ka marrë nën kontroll kompleksin “Rajska Banja” në fshatin Banjskë të Zveçanit.