Mjeku shqiptar vdes në Itali/ 4 viktima e 7 të plagosur, autobusi me fëmijë përplaset me ambulancën

Mjeku shqiptar Sokol Hoxha ishte mes katër viktimave të aksidentit tragjik në Itali, ku një ambulancë u përplas me një autobus ku udhëtonin 40 fëmijë. Shoferi i autobusit është cilësuar hero, pasi arriti t’i nxjerrë të gjithë të vegjëlit para se dy mjetet të shkrumboheshin plotësisht. 4 fëmijë dhe tre shoqërues morën lëndime, pa rrezik për jetën

Sokol Hoxha, 42 vjecc është mjeku shqiptar mes katër viktimave të aksidentit tragjik në Itali, pasi një ambulancë u përplas me një autobus ku udhëtonin fëmijë në rrugën që lidh Urbinon me Fermignanon.

Tri viktimat e tjera janë infermierja, shoferi i ambulancës dhe një pacient 85 vjecar që po transportonin drejt spitalit të Urbinos. 4 fëmijë ishin mes 7 të plagosurve në autobus.

Ngjarja tragjike u shënua të mërkurën brenda një tuneli.

Goditja mes dy mjeteve ishte ballore dhe e fortë, e për pasojë autoambulanca shpërtheu në flakë që më pas përfshinë edhe autobusin.

Shkak për shpërthimin e fuqishëm ishin edhe bombolat e  oksigjenit që ndodheshin brenda mjetit të ndihmës së parë.

Pamjet treguan se  ambulanca do të kishte kaluar pjesërisht në korsinë e kundërt, gjatë një kthese në tunel. Por fjalën e fundit për shkakun e aksidentit pritet ta thonë ekspertët pas hetimeve.

Hero po cilësohet shoferi i autobusit, i cili arriti ti nxjerrë të gjithë në kohë 40 fëmijët që ishin në bord pasi kuptoi se flakët do të përfshinin mjetin.

Fëmijët që ishin në një ekskursion morën ndihëm e parë dhe janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Sokol Hoxha, me origjinë nga Elbasani, kishte përfunduar studimet në Itali ku ushtronte profesionin e mjekut në Spitalin e Fossombrones. .

Ai kishte vetëm katër muaj që ishte bërë baba, raportojnë mediat në vendin fqinj.

Bashkia e Fossombrones shpalli ditë zie, ndërsa të afërmit dhe zyrtarët lokalë i bënë homazh jetës dhe veprimtarisë së mjekut shqiptar, infermieres dhe shoferit të Ambulancës që humbën jetën në krye të detyrës