Kenia “hap kufijtë” për Botën/ Nga 1 Janari 2024 heq regjimin e vizave për të gjithë vizitorët
Nga 1 janari 2024, Kenia do të jetë një vend që mund të vizitohet pa viza nga qytetarë nga e gjithë bota. Vendimin e shpalli presidenti i vendit afrikan, në 60 vjetorin e pavarësisë, në një përpjekje për të rritur numrin e vizitorëve që kryesisht e zgjedhin për të njohur botën e egër
Shqiptarët që duan të vizitojnë Kenian mund ta bëjnë këtë pa nevojën e vizës prej janarit 2024!
Në ditën e parë të vitit të ri, vendi afrikan do të heqë regjimin e vizave me të gjitha shtetet e botës.
Vendimin e bëri të ditur presidenti Ëilliam Ruto në një fjalim në kryeqytetin Nairobi në 60-vjetorin e pavarësisë nga Britania.
Qeveria e Kenias ka zhvilluar një platformë dixhitale për të siguruar që të gjithë vizitorët do të marrin një autorizim elektronik të udhëtimit paraprakisht, në vend që të kenë nevojë të aplikonin për vizë.
“Nuk do të jetë më e nevojshme që asnjë person nga asnjë cep i globit të mbajë barrën e aplikimit për vizë për të ardhur në Kenia” , tha ai
Ruto ka mbrojtur prej kohësh udhëtimin pa viza brenda kontinentit afrikan.
Në një konferencë në Republikën e Kongos në tetor ai tha se njerëzit nga vendet afrikane nuk do të kërkojnë vizë për të vizituar Kenian deri në fund të 2023.
Industria e turizmit luan një rol jetik në ekonominë e Kenias, duke ofruar pushime në plazh përgjatë vijës bregdetare të Oqeanit Indian dhe safari të kafshëve të egra në brendësi.
“Kenia ka një mesazh të thjeshtë për njerëzimin: Mirë se vini në shtëpi!” tha ai.

