Bislimi nuk shqetësohet nëse Trump kthehet si president i SHBA-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është shqetësues.

Në një intervistë për “Euroactiv”, Bislimi ka deklaruar se qasja e politikës amerikane ndaj Kosovës “nuk është domosdoshmërisht produkt i preferencave të individëve, por ajo është e ngulitur në historinë e SHBA-së dhe nuk mund të ndryshohet”.

Në një intervistë së fundmi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se po e pret rikthimin e Trumpit për të krijuar një situatë më të favorshme në Ballkanin Perëndimor dhe për Serbinë. Ai ka përmendur rastin e Azerbahjxanit që “priti 27 vjet” për situatën për ta rikthyer Nagorno-Karabakhun, duke shtuar se Serbia “duhet të mbijetojë” deri pas zgjedhjeve më 2024 në SHBA.

Duke thënë se beson që qasja themelore mbetet e njëjtë, Bislimi ka shtuar se disa individë, si ish-i dërguari i SHBA-së në Kosovë gjatë periudhës sa Trumpi ishte president, Richard Grenell, mund të shkaktojnë dëme.

Sa i përket vitit zgjedhor në Bashkimin Evropian, Bislimi ka deklaruar se Kosova do të punojë me qeveritë që zgjedhin popujt e atyre shteteve dhe se çdo dallim mes të majtës e të djathtës do të ishte “shkatërruese”.

Në këtë intervistë, Bislimi ka thënë se Greqia është shteti me të cilin Kosova ka më së shumti shkëmbime politike e ekonomike nga shtetet mosnjohëse. Ai ka thënë se Kosova i kupton situatat specifike të pesë shteteve mosnjohëse, dhe ka shtuar se me secilën “nuk mund të punohet në të njëjtën metodë”.

Zëvendëskryeministri Bislimi po ashtu ka thënë se kur është propozuar propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim raportesh me Serbinë, ishte bërë me premisën që do t’i zgjidhte 99 për qind të pengesave dhe se qëllimi do të ishte largimi i barrierës, që vjen nga pesë shtetet mosnjohëse.