Ushtria izraelite sulmon Deir al-Balah, 100 palestinezë të vdekur. Nisin sot negociatat për armëpushim të dytë
Palestinezët në Deir al-Balah u goditën nga sulmet izraelite. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 100 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në të gjithë territorin të martën. Fotot nga Deir-al-Balah, një qytet në Gazën Qendrore, tregojnë palestinezët e tmerruar dhe të mbuluar me pluhur dhe rrënoja. Sakaq, kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh, do të jetë sot në Kajro për bisedime mbi një armëpushim të ri në Gaza. Izraeli ka treguar se është i gatshëm të pajtohet për një tjetër pauzë në luftime në këmbim të më shumë pengjeve.
Egjipti, së bashku me Katarin, ndihmuan në ndërmjetësimin e një armëpushimi njëjavor muajin e kaluar që çoi në lirimin e rreth 100 pengjeve të kapur nga Hamasi në këmbim të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. Ismail Haniyeh, i cili zakonisht është i vendosur në Katar, pritet të udhëheqë delegacionin e nivelit të lartë të Hamasit në Egjipt për të takuar shefin e tij të inteligjencës.
Presidenti i Izraelit, Issac Herzog, ka thënë se vendi i tij është gati për një tjetër pauzë humanitare “në mënyrë që të mundësojë lirimin e pengjeve”. Mbrëmë, Xhihadi Islamik Palestinez – një aleat i Hamasit – publikoi një video të re që tregon dy burra të moshuar izraelitë që mbahen peng duke u lutur që të kthehen në shtëpi. Presioni ndërkombëtar është rritur për një pauzë të re në luftime që mund të rrisë ndihmat e dërguara në Gazën e rrethuar.