Marrëveshja për emigrantët, Metaj: Italia do ketë në dispozicion zona të caktuara në Shqipëri ku do ketë juridiksionin e saj

Deputeti i PS-së, Ilir Metaj në një intervistë në Ora News foli për miratimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët. Metaj u shpreh se shteti Italian do ketë juridiksion brenda zonave ku do qëndrojnë emigrantët.

‘’Kjo është një marrëveshje që kuptohet se është edhe në vazhdën e marrëveshjeve të tilla të të njëjtave protokolle që Shqipëria ka patur me Italinë.

Patjetër duhet theksuar se është një emërues i një miqësie të fortë dhe një ndjenje për t’ju gjendur afër njëri tjetrit në momente të mira dhe të këqija.

Ne i kemi ofruar ndihëmën tonë, patjetër nuk mund të mungonte oferta e shqiptarëve ndaj Italisë. Ne treguam edhe njëherë tjetër gatishmërinë tonë për të shtrënguar dorën e një miku sikurse është ai Italian.

Është një marrëveshje që vë në dispozicion të Italisë zona të caktuara që janë përcaktuar në një marrëveshje dy palëshe.

Kuptohet që shteti Italian do të ketë juridiksionin brenda këtyre zonave për të kryer të gjitha procedurat për riatdhesimin e emigrantëve’’, tha ndër të tjera Metaj