Bota politike vlerëson Henry Kissingerin

Figura të shquara të politikës botërore vlerësuan sot figurën e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, i cili vdiq në moshën 100-vjeçare.

Ish-presidenti amerikan George W. Bush:

”E kam adhuruar prej kohësh Kissingerin dhe i isha mirënjohës për shërbimin dhe këshillat  e tij, por kryesisht për miqësinë e tij. Amerika ka humbur një nga zërat më të besueshëm dhe më të veçantë në çështjet e jashtme me vdekjen e Henry Kissingerit”.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair:

”Nuk ka një të dytë si Kissinger. Që nga takimi ynë i parë në vitin 1994, kur isha lideri i ri i opozitës laburiste dhe përpiqesha të formoja një opinion për politikën e jashtme deri në herën e fundit kur e vizitova në Nju Jork (. ..) Unë kisha frikë prej tij”.

Presidenti rus Vladimit Putin:

“Një diplomat i jashtëzakonshëm dhe një lider afatgjatë, i cili ka pasur për shumë dekada, në të gjithë botën, një autoritet të merituar. Emri i Henry Kissinger është i pandashëm me linjën politike pragmatiste, që mundësoi zgjerimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos me marrëveshjen e rëndësishme sovjeto-amerikane, që kontribuoi në forcimin e sigurisë globale”.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron:

“Jam shumë i pikëlluar kur mësova për vdekjen e Henry Kissinger. Edhe në moshën 100 vjeçare, mençuria dhe mendimi i tij shkëlqeu. Ai ishte një burrë shteti i madh dhe një diplomat shumë i respektuar, të cilit do t’i mungojë shumë skenës ndërkombëtare”.

Presidenti francez Emmanuel Macron:

“Shekulli i tij i ideve dhe diplomacisë pati një ndikim të qëndrueshëm në kohën e tij dhe në botën tonë”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz:

”Henry Kissinger, i cili iku nga Gjermania naziste për t’u vendosur me familjen e tij në SHBA gjithmonë mbeti i lidhur me vendin e tij të lindjes”.

Kryeministri britanik Rishi Sunak:

”Ai ishte një burrë shteti i madh. Edhe në moshën 100-vjeçare mençuria e tij dhe reflektimet e tij shkëlqenin me mprehtësi. Një diplomat i nderuar që do të mungojë në skenën ndërkombëtare”. /ATSH-AFP-DPA-ANSA/