Rama: Çdo shqiptar te PS ta ndjejë veten si në shtëpinë e vet
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjatë Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, theksoi se kjo forcë politike duhet të jetë në përmirësim të vazhdueshëm, ku çdo shqiptar duhet ta ndjejë veten si në shtëpinë e vet.
Sipas tij, Partia Socialiste duhet të jetë një forcë politike e hapur për ndryshime.
“Më vjen për të qeshur kur marrë disa mesazhe anonime. Arsyeja është se përse Ermali është i hapur për të marrë në ekipin e tij edhe demokratë. Unë nuk i di kush janë dhe çfarë janë, por Ermali ka të drejtë dhe ato që bëjnë këto mesazhe e kanë gabim. Në parim flas. Ermali dhe çdo kryetari të bashkisë, ne i kërkojmë llogari për punën, se kë marrin në punë është e drejta dhe detyra e tyre. E dyta, kush është socialist, dhe kush i beson vërtetë ato që themi, që jemi të hapur për të gjithë, jo që s’duhet të mërzitet pse demokratët merren në punë kur janë të zotë, patjetër, tani kanë votuar për atë, për atë do të votonin. Fakti që s’votojnë më për atë, është merita jonë, apo jo? Dhe për këtë arsye është shumë e vjetër dhe e pakuptimtë të merremi me këtë pjesë”, u shpreh Rama.
“Ndërkohë që nga ana tjetër, për hir të së vërtetës, në qeveri dhe në qeverisjen këtu në Vlorë, nuk besoj se ka mbetur njeri pa i dhënë hakun. Sigurisht, ka patur njerëz që mund të ketë ende, që nuk e kanë merituar me punën e tyre atë besim që u është dhënë. Kjo patjetër. Këta njerëz duhet të vihen përpara përgjegjësisë. Por këtë ndarje, socialistë dhe demokratë, kur vjen puna tek kontributi që gjithësecili mund të japë si profesionist, si qytetar në një bashki, askush s’duhet ta bëjë. Përkundrazi, ne nuk jemi thjesht një parti e një ane më, për 1001 e arsye ne jemi partia e të gjitha anëve. Sepse jemi e vetmja parti, që qysh në lindje të saj, nuk është lëkundur asnjëherë në mbrojtje të interesit kombëtar, dhe për shkak të gjithë zhvillimeve në jetën e vendit dhe për shkak të rritjes së saj, ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën që të jetë një parti ku çdo shqiptar të ndjehet në shtëpinë e vet”, tha Rama.
“Ka gjëra që do t’i shikojmë në sy, sepse ne nuk mund të presim që të humbasim për t’u përmirësuar. Sepse ne nuk humbasim. Fakti që nuk humbasim, kjo s’do të thotë që s’mund të përmirësohemi. Fakti që kemi fituar 8 zgjedhje rresht lidhet ndër të tjera, edhe me faktin se pas çdo fitoreje kemi nisur të nesërmen punën për të parë se çfarë do të përmirësojmë. Zakonisht në partitë që fitojnë zgjedhjet, presin që t’i nxjerrin nga zyra për t’u riorganizuar. Ka dhe nga ato që siç janë sot, që s’e gjejnë rrugën, kanë dhjetë vjet. Ne jo, duhet të rishikojmë çdo gjë tek vetja përsëri. Tani kemi një dekadë në krye të vendit, që kemi vënë në provë të gjithë njerëzit, ne kemi detyrën të ndërtojmë një PS për dekadën tjetër. Ka plot gjëra që duhet të shohim”, tha Rama.
“Na duhet një parti me forume shumë të hapura. Pse duhet të jesh edhe drejtor, edhe anëtar i një forumi partie? Pse duhet? Kur mund t’i bëjnë dy njerëz këto punë, s’ka përse i bën vetëm një. Kështu mund ta bëjmë më të re partinë, duke u bashkuar dhe duke afruar edhe më shumë të rinj në parti. Po edhe demokratë, pse ku do t’i lini demokratët, rrugëve? Flas për qytetarët, jo për ata 5 sherrxhinjtë në krye. Kjo është një nga partitë më të mira që kemi në Shqipëri. Kjo parti ka dhe një detyrë tjetër, këtu duhet të marri rezultatin më të lartë në Shqipëri, sepse qeverisja jonë këtu në Vlorë ka bërë një nga gjërat më domethënëse në Shqipëri, dhe besoj se duhet të shkojnë bashkë me njëra-tjetrën”, shtoi Rama.
