Mbahet në Tokio Kampionati i parë Botëror për mbledhjen e plehrave

Kampionati i parë Botëror për mbledhjen e plehrave është zhvilluar në Tokio gjatë kësaj jave.

Ekipe nga 21 vende të botës u mbledhën në Tokio, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Spogomit, për të mbledhur plehra në rrugët e qytetit.

21 grupet garuan me njëri-tjetrin për të mbledhur sa më shumë mbeturina në një kohë të paracaktuar nga organizatorët e kampionatit.

Fituesit u shpallën sipas një sistemi pikësh të bazuar në llojet e mbeturinave.

Ekipi i Britanisë fitoi garën në Kampionatin Botëror të Spogomit 2023, raportojnë mediat e huaja. Në Japoni Spogomi është shndërruar në një lëvizje masive.

Sipas Fondacionit Nippon, organizata më e madhe jofitimprurëse e Japonisë, që e promovon zyrtarisht këtë sport, që nga viti 2019, në konkurset e ndryshme deri tani kanë marrë pjesë 150,000 vetë.