Muzika lehtëson dhimbjen emocionale, efektin e japin vetëm këngët e preferuara

Është fakt që një pjesë e mirë e njerëzve gjejnë strehë te muzika kur janë të mërzitur. Vendos kufjet, ngri volumin e këngës së preferuar dhe në mënyrë të pavetëdijshme e gjen veten duke kënduar….

Një hulumtim i kryer nga universiteti i Montrealit vlerëson se muzika ka fuqinë të veprojë në mënyrë terapeutike, si një ilac dëgjimor kundër dhimbjes emocionale.

Gjetjet e publikuara në revistën ‘Frontiers in Pain Research’, sugjerojnë se muzika e preferuar krijon një përgjigje emocionale që mund të lehtësojë dhimbjen.

Dëgjimi i këngëve të preferuara zvogëlon ndjeshëm intensitetin e dhimbjes dhe shqetësimit emocional, ndërsa këngët e panjohura nuk e kanë një efekt të tillë.

Rezultatet u morën pasi studiuesit testuan efektin e një sërë melodish te 63 persona të ndryshëm.

Të anketuarit kanë dëgjuar këngët që kanë zgjedhur vetë, ato të zgjedhura për ta nga studiuesit dhe një grupi të tretë nuk i është luajtur asnjë muzikë.

Kategoria e parë ka shfaqur shenja të përmirësimit të gjendjes emocionale.

Dhe studimet e mëparshme kanë treguar se muzika mund të ndihmojë në zbutjen e dhimbjeve fizike, depresionit dhe presionit të lartë të gjakut.

Në vitin 2012, Qendra Kërkimore e Dhimbjeve të Universitetit të Utah-s publikoi një hipotezë se “muzika mund të zhvendosë fokusin njohës nga dhimbja” dhe disa kërkime të tjera kanë treguar se terapia muzikore mund të zvogëlojë nevojën për ilaçe deri në 50 %