Iran, gazetarja përballet me akuza të reja pasi komentoi vdekjen e adoleshentes Armita

Gjykata Islamike Revolucionare e Iranit ka ngritur aktakuzë kundër gazetares Zeinab Rahimi për gjoja “përhapjen e gënjeshtrave dhe shkeljen e mirësjelljes publike”, pasi ajo kishte komentuar rreth vdekjes së 17-vjeçares Armita Garavand.

Garavand vdiq muajin e kaluar pas një konfrontimi me të ashtuquajturën polici e moralit

Rahimi shkroi në rrjetet sociale më 12 nëntor se ajo dhe avokati i saj morën pjesë në një seancë dëgjimore në rastin e saj dhe se është liruar me kusht në pritje të vendimit të gjykatës.

Hollësitë e aktakuzës kundër Rahimit nuk u bënë të ditura, por ajo ishte thirrur nga gjykata edhe në të kaluarën për akuza të ngjashme, bashkë me gazetaren e ekonomisë, Maryam Shokrani.