Dezinformimi në internet/ Sondazhi i UNESCO-s: Gjuhë urrejtje në internet, njerëzit të shqetësuar

Një sondazh i publikuar nga UNESCO vlerëson se më shumë se 85% e popullsisë janë të shqetësuar për ndikimin e dezinformimit në internet, ndërsa 67% e të anketuarve nga 16 vende shqetësohen për gjuhën e urrejtjes.

Përdorimi i internetit është një nga mënyrat më të përhapura ditët e sotme për të marrë informacion, por sa të sigurt jemi për ato që lexojmë online?

Më shumë se 85% e njerëzve janë të shqetësuar për ndikimin e dezinformimit në internet ndërsa 87% besojnë se ai tashmë ka dëmtuar politikën e vendit të tyre, sipas një sondazhi global të kryer nga UNESCO.

‘Konkluzionet u morën në 16 vende që do të mbahen zgjedhjet kombëtare vitin e ardhshëm, me gjithsej 2.5 miliardë votues dhe treguan se sa urgjente është bërë nevoja për një rregullim efektiv’ deklaroi organizata.

Anketimi i rreth 8 mijë personave në vende përfshirë Austrinë, Kroacinë, SHBA-në, Algjerinë, Meksikën, Gana dhe Indinë, zbuloi se 56% e përdoruesve të internetit i merrnin lajmet e tyre kryesisht nga mediat sociale, shumë më tepër se nga TV që ishin 44%, ose faqet mediatike 29%.

Kjo vijon të ndodhë pavarësisht se besimi në informacionin që ofronte online-i ishte dukshëm më i ulët se në mediat tradicionale: 50% kundrejt 66% për televizionin, 63% për radion dhe 57% për faqet e internetit dhe aplikacionet e medias.

68% e të anketuarve thanë se mediat sociale ishin vendi ku lajmet e rreme ishin më të përhapura, ndërsa 38 % e tyre kishin këtë mendim për aplikacionet e komunikimit.

Gjuha e urrejtjes u pa gjithashtu si e përhapur: 67% pranuan se e kishin hasur fenomenin në internet, shumica e tyre nën 35 vjeç.

88% e të pyeturve u shprehën se qeveritë dhe rregullatorët duhet t'i adresojnë të dyja çështjet, dhe 90% gjithashtu kërkonin që platformat të ndërmarrin masa.

Vigjilenca u pa veçanërisht e rëndësishme gjatë fushatave zgjedhore. Nga të anketuarit, 89% kërkuan ndërhyrje nga qeveria dhe rregullatorë dhe 91% prisnin që platformat e mediave sociale të ishin edhe më vigjilente kur demokracia ishte drejtpërdrejt në lojë.