AGJENDA/ Von der Leyen sot në Kosovë, takime me Kurtin dhe Osmanin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur vizitën e saj katërditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca takimi do të fillojë nga ora 13:15. Pas takimit do të mbajnë një konferencë, mediat do të marrin pamje në fillim të takimit.

Ky do të jetë një rast për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq takimi me kryeministrin Kurti do të mbahet rreth orës 14:40, është bërë e ditur në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

Kujtojmë se Von der Leyen ka nisur dje vizitën e saj katërditore në Ballkanin Perëndimor, ku ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut.

Zyrtarja e lartë e Brukselit është takuar dje në Shkup me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi. Ky i fundit në një postim në Facebook ka dhënë detaje nga bisedimet me Von der Leyen.

“Në takimin e punës me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bisedonim për përgjegjësinë politike të gjithë partive në miratimin e ndryshimit të Kushtetutës dhe proceseve reformuese në drejtim të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Xhaferi.

Përveç Xhaferit, e para e Komisionit Evropian dje është pritur në takim edhe nga presidenti Stevo Pendarovski.

“Me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, diskutuam për fazat e ardhshme të negociatave pas përfundimit të procesit të shqyrtimit dhe dinamikën e zbatimit të reformave. Faleminderit për mbështetjen dhe përkushtimin nga BE-ja për integrimet tona evropiane”, ka shkruar Pendarovski në një postim në Facebook.

Pas Prishtinës, Von der Leyen do të vazhdojë vizitën në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Gjatë vizitës në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, do ta prezantojë Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor, e cila është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga Unioni për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, por kjo ndihmë për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.

Vizita vjen pas takimeve që Von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.