Nuk ndalet Helidon Gjikoka/ Pas tjetërsimit të 1430 m2 tokë në Perivollo, tani do t’i marrë shtëpinë 2 katëshe 75-vjeçares në Dhërmi
Helidon Gjikoka, një personazh i vënë dy herë nën akuzë për falsifikim të dokumentave me qëllim tjetërsimin e 1430 metra katrorëve në zonën e Perivollos në bregdetin e Jonit, dyshohet se është përfshirë në një veprimtari tjetër kriminale.
Këtë hërë objektiv i biznesmenit Helidon Gjikokës është tjetërsimi e një banese 70-vjeçare që ndodhet në fshatin Dhërmi.
Edhe pse problemet e Gjikokës qëndrojnë të hapura në Gjykatën dhe Prokurorinë e Vlorës për çështjen e ndërtimit të kompleksit “Ambel Beach” në tokën e kushëririt të tij, ai tashmë i ka vënë syrin një tjetër pasurie për ta tjetërsuar.
“Ora News” ka mësuar se bëhet fjalë për një shtëpi dy katëshe me vendodhje në fshatin Dhërmi, ku jeton e moshuara 75-vjeçare, Androniqi Koka së bashku me djalin e saj, Ilia Koka.
Kjo pasuri është ndërtuar gjatë periudhës së rregjimit komunist mbi një truall që rregjimi i asaj kohe dhe qeveria aktuale, e njeh si pronë të familjes Koka dhe jo si pronë të Helidon Gjikokës.
Sipas këtij dokumenti që shikoni në këtë foto, Helidon Gjikoka, ka aplikuar në 27 shtator 2019 pranë zyrës së Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, duke kërkuar që objekti 70-vjeçar ku jeton e moshuara Androniqi Koka, të legalizohet dhe hipotekohet në emër të Helidon Gjikokës.
Në bazë të kësaj kërkese Gjikoka ka marrë zyrtarë të ASHK-së Vlorë, duke i çuar në teren për të bërë matjet dhe marë fotot satelitore të objektit.
Por në 31 Tetor 2019, në zyrën e ASHK-së Vlorë ka mbëritur një kërkesë e dytë, këtë herë nga 75-vjeçaria, Androniqi Koka, e cila ka kërkuar nisjen e procedurave të legalizimit dhe hipotekimit të shtëpisë ku jeton, e cila është ndërtuar qysh në periudhën e rregjimit komunist.
Për trajtimin e kësaj kërkese inspektorët e ASHK-së Vlorë kanë shkuar në terren, duke konstatuar se për të njëjtin objekt ndërtimi dhe truall që ndodhen në fshatin Dhërmi, kishte aplikuar e moshuara Androniqi Koka dhe Helidon Gjikoka.
Nisur nga kjo situata e paqartë se kush ka pronësinë e kësaj sipërfaqe trualli dhe banesën dy katëshe, ASHK-ja në Vlorë me urdhërin Nr.1882 të datën 20 shkurt 2020, vendosi të pezullojë procedurën e legalizimit për subjektin kërkues, Helidon Gjikoka.
Në urdhër nënvizohet se kjo procedurë trajtimi do vijojë të qëndrojë e pezulluar, deri kur një gjykatë kompetetnte të ketë vendosur zgjidhjen e konflikt me vendim të formës së prerë.
Por tashmë e moshuara 75-vjeçare, i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Vlorës, duke denoncuar Helidon Gjikokën për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.
Në kallëzimin e saj, Androniqi Koka, kërkon ndjekjen penale ndaj Gjikokës dhe verifikimin e çdo dokumenti në zyrën e ASHK-së në Vlorë.
Prej disa muajsh, Gjikoka vijon të qëndrojë me masë sigurimi “arrest shtëpie”, lidhur me rastin e tjetërsimit të 1430 m2 në zonën e quajtur Perivollo në Bregdetin e bukur të Dhërmiut.






