Nuk mund të flitet për futboll në Marseille, shtyhet ndeshja me Lionin

Ndeshja e Ligue 1 mes Olympique Marseille dhe Lyon është shtyrë, pas përplasjeve para takimit.

Autobusi i Lyonit u sulmua nga ultrasit e vendasve, të cilët nuk hezituan të gjuajnë me gurë trajnerin Fabio Grosso, me italianin që fokusuan kamerat të gjakosur në fytyrë. Një problem me sytë ka edhe zëvendësi i tij, Longo, raportojnë mediat në Francë.

Me mikrofon, në Velodrome u njoftua për 60 mijë shikuesit e pranishëm në tribuna se ndeshja ishte shtyrë për një datë të pacaktuar.

“Pas dëmtimeve të pësuara nga anëtarët dhe duke marrë parasysh pozicionin e Lyon, që nuk deshi të fillonte ndeshjen dhe protokollin e vendosur, kjo ndeshje nuk do të luhet. Do të përpilohen raportet përkatëse për autoritetet kompetente”, dëgjohet në stadium.