U dëmtua mbrëmë, Ancelotti zbulon nëse Bellingham do të jetë gati për “El Clasico”

Real Madrid mori një fitore 1-2 mbrëmjen e djeshme ndaj Bragës. Jude Bellgiham shënoi një nga golat. Mesfushori britanik shqetësoi jo pak tifozët spanjollë duke qenë se u largua nga fusha në minutën e 89-të si pasojë e një shqetësimi fizik.

Përpara është El Clasico ndaj Barcelonës të shtunën dhe Real Madrid kërkon ta ketë me patjetër yllin e skuadrës për sfidën me rivalët e përjetshëm katalanas.

“Bellingham është shumë mirë, muskujt e tij ishin pak të ngarkuar edhe sepse fusha ishte shumë e butë. Por, e theksoj se nuk bëhet fjalë për asgjë serioze, Bellingham do të rikuperohet në kohë.

Është pak i lodhur ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës, por është normale dhe nuk ka asnjë problem”, u shpreh Ancelotti.

Ndeshja e së shtunës mes Barcelonës dhe Real Madrid do të zhvillohet të shtunën në orën 16:15.