Kryeministri Shmyhal: Ukraina merr 1.5 miliardë euro nga BE

Ukraina mori këstin e nëntë të ndihmës makrofinanciare prej 1.5 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal përmes Telegramit.

“Ukraina mori këstin e nëntë të ndihmës makrofinanciare prej 1.5 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian”, thuhet në deklaratë.

Sipas tij, në përgjithësi, mbështetja buxhetore e BE-së për Ukrainën në vitin 2023 ka arritur tashmë në 15 miliardë euro.

Ai theksoi se “është një nga faktorët më të rëndësishëm që e ndihmon Ukrainën të mbetet ekonomikisht e fortë dhe e qëndrueshme”.

“Ne po punojmë tani me Komisionin Evropian për një program të ri afatgjatë të Lehtësimit të Ukrainës me vlerë 50 miliardë euro. Ne presim të marrim 18 miliardë euro vitin e ardhshëm,” shtoi kryeministri.

Shmyhal shprehu mirënjohjen për partnerët evropianë të Ukrainës për solidaritetin e tyre të hekurt me Ukrainën.

Më herët, kryeministri Shmyhal tha se, në kuadër të programeve të ndryshme, partnerët ndërkombëtarë dhanë më shumë se 4 miliardë euro për ndërmarrjet ukrainase.