Banalizimi politik që nuk jep Drejtësi

Pritej të vinte një ditë si e shtuna e 21 tetorit. Pritej zhurma e madhe dhe kundër- reagimet. Deri tani duket një skemë e parashkruar me SPAK që guxon të akuzojë ish-Kryeministrin sot lider i opozitës dhe opozita që e akuzon SPAK si instrument politik të Qeverisë. Një stereotip i krijuar që në 1993 kur u arrestua Fatos Nano, ish- Kyeministri 3 mujor i 1991 dhe lider i opozitës pas 1992. Edhe atëherë, 30 vjet më parë, ishte i njëjti debat dhe të njëjtat pozicione- Drejtësia e Re, përballë opozitës së vjetër.

Në këtë betejë më shumë politike se ligjore, ka më shumë hapësirë për propagandën dhe copat kurioze të akteve qeveritare apo pasurive të të akuzuarve, që do ta ushqejnë spektaklin, ndërsa dosja shpërndahet për gjykimin publik.

Në anën tjetër gafat e SPAK dhe GJKKO që ushqejnë mbrojtjen e të akuzuarve dhe daljet publikë të opozitës, që në fund do ta shndërrojnë këtë në një çështje qëndrimesh politike, ndërsa e vërteta për korrupsionin që e ka gërryer dhe po e gërryen vendin dhe shoqërinë do të mbetet e panjohur.

E vërteta e thjeshtë, që Klubi Partizani, një ambient me fusha sporti dhe palestra, u shndërrua në një lagje banimi, me një projekt të qartë, të qeverisë së kohës me Kryeministër Berishën. E vërteta është që ai nuk ishte vetëm, sepse një ligj konsensual kaloi në Kuvend në 2008, bashkë me ndryshimet e famshme Kushtetuese. Ligji krijonte mundësinë që asetet e klubeve sportive të privatizoheshin ose tu ktheheshin pronarëve. Në atë kohë të gjjthë e dinin se asetet e Klubeve Partizani dhe Dinamo ishin ndarë paraprakisht mes Berishës dhe Ramës, për të bekuar ndryshimet Kushtetuese për të cilat, pala që humbiste, LSI, ishte futur në grevë urie.

Kjo e vërtetë, ashtu si shumë skandale të mëdha, duhet të zbardhej nga Drejtësia dhe hetimi i saj nuk mund të quhet sulm politik. Por dosja e SPAK, mënyra se si u lëshuan dhe u ekzekutuan arrestimet e bënë atë të ngjante si 2 pika uji me spektaklet dhe fjalimet e Edi Ramës, apo me akuzat e Taulant Ballës.

E bën spektakël banal politik, mënyra se si u arrestua Jamarbër Malltezi, në Rinas, në sy të të gjithëve, aty ku kamerat e sigurisë nuk mund të mungojnë dhe prej tyre mund të "rrjedhin" pamjet, trajtimi si i shumëkërkuar nga policia. Mënyra se si policia shkon në selinë e Partisë Demokratike për t'i çuar njoftimin zyrtar kryetarit të opozitës, pikërisht në kulmin e vëmendjes, kur gjithë kamerat janë aty dhe priten reagimet e tij të njëpasnjëshme. Vetë vendimi i GJKKO, për kufizimin e Lëvizjes së deputetit pa vendim parlamenti. Mosthirrja e të akuzuarve asnjëherë për të dhënë shpjegime, megjithëse çështja nuk ka asnjë fshehtësi dhe rrezik për fshirje provash.

Akuza e formuluar me amatorizëm të dukshëm për korrupsion, pasiv për ish-Kryeministrin, i cili në fakt mund të ketë ushtruar ndikim të paligjshëm për shkak të detyrës dhe pushtetit, mund të ketë shpërdoruar detyrën në favor të dhëndrit, por nuk ka sesi, ose të paktën nuk ka logjikë që ta ketë bërë këtë për ryshfet.

Korrupsioni si koncept ligjor nuk është i njëjtë me korrupsionin si koncept politik. Nëse politikisht apo moralisht korruptimi shpjegon gjitçka që ka ndodhur në 33 vjet për të grabitur pasuritë publike, në konceptin ligjor ai lidhet me dhënien e rryshfetit dhe marrjen e tij. Nëse Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, dhëndrri i tij, që është përfituesi, duhet të akuzohet për korrupsion aktiv. Në fakt edhe ai akuzohet si pasiv.

Këto detaje, ky spektakël, që e shndërrojnë në qesharake dosjen dhe mënyrën e procedimit, tregojnë që ka një nxitim që nuk mund të vijë nga vetë prokurorët, pavarësisht se prokurorët e çështjes janë të njohur për lidhjet me maxhorancën. Ky nxitim që e bën padinë publike të duket më amatore se akuza e depozituar nga Taulant Balla, i vë kësaj çështjeje te rëndësishme, damkën e hetimit politik të nxituar, për të shërbyer në një moment të caktuar, atëherë kur i gjithëpushtetshmi ka më shumë nevojë.