KLP të marrë në dorë rolin për rregullimin e sistemit

Nga Avokat Detar Hysi

Ka pasur njerëz në këtë vend që janë vrarë për shkak të devijimit të hetimeve nga prokuror te caktuar!

Prokurorë qe kanë devijuar hetimet për fakte penale me pasojë vdekjen!

Kanë ngritur akuza vetëm me indicie dhe me prova të mara jo në formën e kërkuar nga ligji!

Për ta bërë më të thjeshtë për publikun!

Prokurori kërkon burgim të përjetshëm gjykata jep pafajsi.

Prokurori ankimon vendimin në Apel, gjykata e Apelit jep përsëri pafajsi.

Prokurori bën rekurs në Gjykatën e Lartë, gjykata vendos mospranimin e  rekursit.

Por mbas 6 vjetësh beteja ligjore personi që mer pafajsinë në tre shkallët e gjyqësorit Shqiptar, një ditë të bukur del nga burgu dhe pas disa kohësh vritet.

Atëherë cili është ndryshimi, në këtë rast?

Familjarët e personit të shpallur të pafajshëm nga gjykata, pasi kanë mbyllur kalvaret e proceseve gjyqësore i duhet të shkojnë në varreza, ndërsa prokurori që ka marë tre humbje vijon të shkojë normalisht në zyrë.

Si avokat në shumë procese gjyqësore, kam dërguar dhjetëra ankesa në adresë të Prokurorit të Përgjithshëm, kundër prokurorëve të këtij formati që ngrenë akuza pa u bazuar në prova.

Rezultati i gjithë kësaj është, zero përgjigje.

Sot pas 6 vite nga ndryshimet e mëdha në Reformën në Drejtësi, ka ardhur kohë që çdo kush të ngrejë pyetjen:

A duhet të qëndrojnë në sistem këta prokurorë?

Për mua jo!

A duhet të promovohen këta prokurorë?

Për mua jo!

A duhet të shkojnë në SPAK, këta prokurorë?

Për mua jo!

Pas ndryshimeve kushtetuese, sot, drejtësia Shqiptare ka dy ente rregullatore ILD dhe KLP.

ILD është inegzistente dhe nuk ka asnjë mundësi të kontrollojë sistemin.

Nga ana tjetër KLP, që e ka për detyrë mbikqyrjen e punës së prokurorit, nuk kontrollon dot punën e tij.

Asnjë përgjigje për ankesat e depozituara, lidhur me paregullshmërinë e procesit hetimor dhe montim provash.

Kemi një kryetar KLP që jep deklarata shtypi me krerët e institucioneve duke pohuar se "...vendosëm të zbatojmë ligjin...".

Një banalizim që i kanë bërë sistemit.

Prokurori duhet t’i përkushtohet përgjegjësisë dhe pavarësisë në ushtrimin e detyrës dhe jo përdorimit për interesa të caktuara, mediatike, karriere etj.

Nëse këto institucione nuk do i thërrasin ndërgjegjes profesionale, ato kanë cënuar sigurinë kombetarë, sigurinë e jetës, sigurinë e pronës.