Kontrabandimi i ilaçeve, Balla përgëzon strukturat e Policisë dhe Prokurorisë

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës janë arrestuar 16 persona dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim, pasi akuzohen se tregtonin dhe magazinonin ilaçe të kontrabanduara.

Policia gjeti në disa banesa dhe farmaci, në 4 qytete medikamente të ndryshme me vlerë rreth 50 mijë euro pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan.

Hetimi i agjentëve të Departamentit Kundër Krimit Ekonomik në polici zbuloi se medikamentet silleshin nga Kosova, Greqia dhe Turqia.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi strukturat e Policisë dhe Prokurorisë, pas finalizimit të operacionit kundër kontrabandimit të barnave mjekësore.

Balla deklaroi se hetimi i krimit ekonomik dhe financiar brenda Policisë së Shtetit po ngrihet në një nivel tjetër në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal etj.

“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Jurisdiksionit të Përgjithshëm Tiranë për operacionin e madh kundër kontrabandimit të barnave mjekësorë, duke çuar pas hekurave 16 persona të përfshirë në këtë rrjet kriminal. Hetimi i Krimit Ekonomik dhe Financiar brenda Policisë së Shtetit po ngrihet në një nivel tjetër në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, evazionit fiskal etj”, u shpreh ministri.