Dy javë më parë u rrëmbyen nga Hamasi, këto janë nënë e bijë që u lanë të lira

Dy pengje amerikane të mbajtura nga Hamasi në Gaza janë liruar nga grupi militant dhe tani janë rrugës për në një bazë ushtarake në Izrael.

Ato janë identifikuar si Judith Raanan dhe vajza e saj Natalie Raanan.

Judith besohet të jetë rreth 60 vjeç, ndërsa Natalie është 17-vjeçare.

Zyra e Kryeministrit të Izraelit tha: “Këtë mbrëmje, Judith Tai Raanan dhe Natalie Shoshana Raanan u liruan nga duart e organizatës terroriste Hamas”.

Në deklaratë ndër të tjera thuhej se ato u rrëmbyen nga Hamasi të shtunën më 7 tetor, ndërsa po qëndronin në kibutz Nahal Oz.

Të dy kanë nënshtetësi izraelite dhe ishin në një udhëtim në Izraelin jugor nga shtëpia e tyre në Çikago.

Ato u kapën gjatë një bastisjeje të madhe atë ditë nga militantët nga Gaza, të cilët sulmuan kufirin me Izraelin jugor dhe vranë qindra izraelitë.