Irani ndalon mësimin e gjuhëve të huaja për fëmijët
Irani ka ndaluar mësimin e të gjitha gjuhëve të huaja, përfshirë anglishten dhe arabishten, në kopshte dhe shkolla fillore, me efekt të menjëhershëm, njoftoi media shtetërore.
“Mësimi i gjuhëve të huaja është i ndaluar në kopshte, çerdhe dhe shkolla fillore, sepse në këtë moshë, identiteti iranian i fëmijës po formohet,” tha Massoud Tehrani-Farjad , një zyrtar i ministrisë së arsimit.
Republika Islamike e kishte ndaluar tashmë mësimin e gjuhës angleze në shkollat fillore në vitin 2018, megjithëse ajo mësohet nga shkolla e mesme e tutje.
“Ndalimi i mësimit të gjuhëve të huaja nuk ka të bëjë vetëm me anglishten, por edhe gjuhët e tjera, përfshirë arabishten”, nënvizoi Tehrani-Farjad.
Persishtja, e vetmja gjuhë zyrtare në Iran, është e ndikuar fuqimisht nga arabishtja, por gjithashtu ka huazim nga frëngjishtja dhe anglishtja.
Ministria e Arsimit kishte sinjalizuar në qershor 2022 planin e saj për të filluar një “provë për të mësuar frëngjisht ” në shkollat anembanë vendit për “eliminimin e monopolit të gjuhës angleze”.
Në shtator, qeveria i ndaloi studentët iranianë ose me shtetësi të dyfishtë të ndiqnin shkollat ndërkombëtare, duke thënë se fëmijët iranianë kishin një detyrim të ndiqnin kurrikulën shkollore të vendit.
Vendimi çoi në një rënie të papritur të numrit të studentëve në disa shkolla ndërkombëtare.


