Somer "spektator" tek Interi, zviceriani kryen 1 pritje çdo 53 minuta

Interi ka qenë brilant në këto pesë javë të para të Serisë A dhe sigurisht që një nga sekretet e këtij starti është edhe soliditeti i fazës defensive.

Me 14 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar (Leao në derbi), te zikaltrit nuk e kanë pasur të vështirë të shkojnë në kuotën e 15 pikëve dhe të lënë pas cilindo kundërshtar.

Për t’i dhënë edhe më shumë vazhdimësi ecurisë së deritanishme, në ndihmë zikaltërve u vjen edhe kalendari i lehtë në letër, ku rivalët e radhës janë Sassuolo, Salernitana e Bologna. Zikaltrit duket se udhëtojnë të qetë tashmë drejt ndeshjeve të radhës, mbi të gjitha falë ndryshimit në mentalitet që ua dëshmojnë edhe numrat.

Në të njëjtën periudhë të kampionatit një vit më parë, zikaltrit kishin vetëm 9 pikë (fitore me Leccen, Spezian dhe Cremonesen) dhe kishin regjistruar dy humbje (Lazio, Milan), ndërkohë që kishin shënuar 11 gola dhe kishin pësuar plot 8 të tillë, duke e mbajtur portën të paprekur vetëm ndaj Specias.

Sot skuadra e Inzaghit numëron 4 ndeshje me portën e paprekur në 5 javët e para, duke konfirmuar se tashmë prapavija e Interit është rikthyer të jetë një mur.

Somer ka marrë vendin e lënë bosh nga Onana, por pak ka para numrit 1. Bastoni, De Vrij (Acerbi) dhe Darmian apo Pavard kanë ofruar më shumë siguri se asnjëherë, e bashkë me ta edhe gjithë skuadra që po bën maksimumin për të mos lejuar topat të filtrojnë drejt zonës së tyre.

Këtë e shpjegon edhe fakti që drejt kuadratit në këto javë të kampionati është goditur vetëm 9 herë, goditje që e kanë mbajtur të paangazhuar 34- vjeçarin zviceran. Sipas statistikës që referon “La Repubblica”, Somer detyrohet të bëjë një pritje mesatarisht çdo 53 minuta, duke marrë parasysh edhe kohën shtesë.

Me një mesatare të tillë, ish-portieri i Bayernit ka pasur luksin të jetë një spektator në pjesën më të madhe të ndeshjes, falë një Interi që gjithmonë e më shumë po funksionon në mënyrë perfekte në mekanizmat mbrojtës.