Osmani nga NATO: Diskutuam për veriun, me aleatët t’i zgjidhim sfidat atje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg kanë diskutuar për veriun e vendit tonë, e cila bën të ditur se ka kërkuar nga ai të punojnë së bashku me të gjithë partnerët ndërkombëtar në mënyrë që të zgjidhen, siç është shprehur ajo të gjitha këto sfida të sigurisë atje.

Presidentja Osmani përmes një video mesazhi në Facebook të regjistruar nga selia e NATO-s, ka theksuar se vizioni i Kosovës është që të anëtarësohet shteti ynë në këtë aleancë së më shpejt.

“Kosova është shteti më pro NATO, jo vetëm në rajon, por në gjithë botën, sepse vizioni i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve tona është që të anëtarësohemi në këtë aleancë, e cila në vitin 1999 shpëtoi jetën tonë dhe edhe sot e kësaj dite vazhdon me kontributin që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe”, theksoi ajo.

Po ashtu ajo tha se me Stoltenberg kanë diskutuar edhe për “grupet e organizuara kriminale serbe”.

“Natyrisht që shumë nga sfidat me të cilat ballafaqohemi në veçanti ato në veri të vendit për shkak të grupeve të organizuara kriminale serbe i diskutuam sot. Duhet të punojmë bashkë me partnerët tanë, duhet të punojmë bashkë me aleatët tanë në mënyrë që t’i zgjidhim të gjitha këto sfida të sigurisë, sepse çështja e sigurisë asnjëherë nuk është individuale, është gjithnjë kolektive”, tha ajo nga selia e NATO-s.

Ajo ka thënë po ashtu se në këto 25 vjet, Kosova e ka dëshmuar që është partner i NATO-s, dhe do të vazhdojë ta dëshmojmë këtë.

“Natyrisht do të vazhdojmë të koordinohemi me partnerët tanë në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, të sovranitetit dhe paqes e stabilitetit rajonal. Këtu prapa meje janë flamujt të shteteve anëtare të NATO-s, do të punojmë të gjithë së bashku që edhe flamuri i Republikës së Kosovës shumë shpejt të valoj së bashku me flamujt e aleatëve”, ka thënë ajo në videon e publikuar në Facebook.