Bisedimet Kosovë-Serbi, Lajçak takon zv/kryeministrin e Kosovës për takimin e nivelit të lartë
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuciç pritet të përballen më 14 shtator në Brusel për herë të parë që pas nisjes së krizës në veri të Kosovës.
I dërguari i posacëm i BE për Dialogut, bisedoi me zëvendëskryeministrin e Kosovës përgatitjet
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, me të cilin bisedoi rreth përgatitjeve për një takim të nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd, javën e ardhshme në Bruksel.
“Ne patëm një diskutim të gjatë dhe thelbësor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkroi Lajçaku në X, rrjetin social të njohur si Tëitter dikur.
Lajçak thotë se në fokus ishte diskutimi “si të përparojmë në normalizimin e marrëdhënieve” mes Kosovës e Serbisë, për të tejkaluar krizën aktuale.
Më 31 gusht, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të zhvillohet me 14 shtator.
Kurti dhe Vuçiq janë ulur ballë përballë njëri tjetrit për herë të fundit më 2 Maj, 9 ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës që u bojkotuan nga serbët lokalë.
Prej asaj kohe, marrëdhënia mes dy vendeve fqinje ka qenë e tensionuar.
BE dhe SHBA kanë kërkuar uljen e tensioneve dhe rikthimin tek dialogu, ndërsa Brukseli vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës për dështim në në qetësimin e situatës në veri, ku një prej masave të kërkuara është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme lokale. Qeveria e Kosovës pak ditë më parë publikoi udhëzimin se si drejtuesit shqiptarë të komunave serbe do të dorëhiqen me peticion, por kjo mënyrë është kritikuar si jo efektive
Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve që në vitin 2011. Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
